Sekretari i OVL UÇK-së, Faton Klinaku, tha se aksioni i EULEX-it në zyrat e kësaj organizate është i kundërligjshëm, raporton Ekonomia Online.
Ai ka thënë se pa paraqitjen e asnjë dokumenti, bastisja ngjan në veprimet e Jugosllavisë.
Klinaku ka shtuar se siç e kanë kundërshtuar Jugosllavinë do ta kundërshtojnë edhe këtë mision.
Klinaku shtoi se nuk e dinë se pse po ndodh ky aksion derisa shtoi se nuk ia kanë kërkuar as dosjet që i morën disa herë nga disa persona të panjohur.
“Isha në zyrë duke pi kafe, dhe këta zotërinjtë nuk prezantojnë asnjë letër dhe ju thash edhe Jugosllavia ka bërë kështu dhe jemi detyruar t’u përgjigjemi”.
“Nëse shteti jonë s’merr masa, këta do të na detyrojnë të luftojmë edhe sikur kundër Jugosllavisë. As s’kanë dokumente, as letra, as përkthyes. Shteti ynë i ka fajet. Është bastisje, s’ka arrestime”, ka thënë ai duke i quajtur kriminelë zyrtarët e EULEX-it.
Klinaku tha se nuk e dinë se pse ndodh ky aksion derisa tha se nuk ia kanë kërkuar as dosjet që i morën disa herë nga disa persona të panjohur.
Kryetari i familjeve të dëshmorëve, Xhavit Jasharaj ka thënë se nuk e dinë arsyen e bastisjes nga EULEX-i në zyrat e OVL-UCK-së.
Jasharaj këtë aksion e quajti turp të institucioneve vendore si të drejtësisë, parlamentit dhe presidencës.
Ai po ashtu tha se këta mund të jenë edhe serbë, pasi flasin gjuhë të ndryshme, siç tha ai edhe gjuhë sllave.
“Nuk e dimë arsyen se pse janë fut pa paralajmërim. Turpi i gjithë kësaj është nga institucioni më i lart qoftë të atyre të drejtësisë, parlamentit e presidentit”.
“Mos të vij deri tek më e keqja se s’do të lejojmë që të vij kushdo dhe kurdo që të na largojnë nga zyrat, se ne nuk e dimë se çka bëjnë ata në këto zyre, mund të jenë edhe kriminel të Serbisë, janë të maskuar flasin gjuhë të ndryshme, flasin sllavisht dhe nëse vërtetohet kjo nuk do të lejojmë”.
“Lirinë e kemi marr e kemi fituar dhe me të vërtetët do të derdhet gjaku në emër të lirisë. Ne nuk i njohim dhe nuk e dimë se kush janë këta”.