Kosovarët vazhdojnë të mbesin të izoluar duke u privuar nga e drejta që të udhëtojnë pa viza nëpër shtetet e tjera. E kjo situatë duket se do të vazhdojë edhe më gjatë se që është pritur, pavarësisht se u premtua secilin vit që një gjë e tillë do të ndodhte.
Ndonëse kushti kryesor thuhet se është ratifikimi i Demarkacionit me Malin e Zi sikurse dhe luftimi i korrupsionit, njohës të këtyre çështjeve hedhin poshtë këto të dyja, pasi as edhe realizimi i tyre, kosovarëve s’do t’ua mundësonte udhëtimin pa viza, derisa mungojnë pesë njohje nga shtetet anëtare të BE-së.
Njohësi i integrimeve evropiane, Avni Mazreku, i ka shuar shpresat e kosovare për heqje të vizave brenda një kohe të shkurtër, raporton lajmi.net.
Përderisa në opinion deri më tani është thënë se me ratifikmin e demarkacionit vizat do të hiqen, Mazreku në një prononcim për lajmi.net ka thënë se një gjë e tillë nuk do të ndodh pa njohjen e pesë vendeve të BE-së.
Ai duke komentuar mundësinë që Kuvendi i Kosovës t’i drejtohet BE-së më një letër ku do të kërkohet që demarkacioni të hiqet si kusht për vizat ka thënë se asnjë lojë politike nga Kosova nuk do të jap efekt për heqjen e vizave nëse Kosova nuk njihet nga pesë vendet e BE-së.
“Përderisa ekzistojnë 5 mosnjohje për Kosovën, çfarëdo vendimi politik për Kosovën është vështirë i parashikueshëm, problemi kritik janë këto 5 mosnjohje, asgjë nuk mund të parashikohet pavarësisht se çfarë ndodhë qoftë ratifikimi i Demarkacionit , qoftë lufta efektive kundër krimit të organizuar ose korrupsionit apo çfarëdo veprimit tjetër që mund të ndodh nuk është i mjaftueshëm për Kosovën përderisa mungojnë këto 5 njohje”, ka thënë Mazreku për lajmi.net.
Problemi i vizave, siç vlerëson ai, përkatësisht parashikimet ose premtimet se vizat mund të ndodhin sot nesër apo pasnesër, asnjë nga këto premtime sipas tij nuk mund të qëndrojnë, duke e ditur mënyrën se si merren vendimet në Bashkimin Evropian.
Ai vazhdon tutje duke thënë se këto 5 njohje duhet të ndodhin e mandej mund të normalizohen marrëdhëniet në mes të Bashkimi Evropian dhe Kosovës. “Sepse aktualisht Kosova në mungesë të këtyre pesë njohjeve nuk ka raporte normale me BE-në”, është shprehur ai.