Pa pëlqimin e Kongresit, Grenell nis ndryshimin e agjencive të inteligjencës

Prishtinë | 09 Maj 2020 | 09:25 | Nga Ekonomia Online

Drejtori i përkohshëm i Inteligjencës Kombëtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Richard Grenell, i ka prezantuar ndryshimet që i ka bërë në agjencinë e tij.

Grenell i cili pritet të zëvendësohet gjatë muajve të ardhshëm nga një kandidat me kompetenca të plota, ka vlerësuar se ndryshimet erdhën si rezultat i një rishikimi të gjatë, që sipas tij, do të mundësojnë përdorimin më efikas të fondeve dhe do ta forcojnë mbështetjen e inteligjencës për Pentagonin.

Si besnik i Presidentit Donald Trump, ai ka vazhduar me riorganizimin e agjencive të inteligjencës pavarësisht asaj se ka refuzuar në muajin e kaluar që të japë detaje të ndryshimeve të planifikuara për Adam Schiff – kryetarin demokrat të Dhomës së Komitetit të Inteligjencës.

Schiff ka vlerësuar se do të ishte e papërshtatshme që një ushtrues i detyrës së mbikëqyrësit të 17 agjencive të bëjë ndryshime në lidership, staf apo burokraci, shkruan Reuters.

Një zyrtar i Komitetit të Inteligjencës së Senatit, duke folur në kushte anonimiteti, ka thënë se kryetari republikan, Richard Burr, dhe nënkryetari i tij demokrat, Mark Warner, i kanë dërguar Richard Grenellit një letër më 19 mars, ku i kanë kërkuar që të mos procedojë me riorganizimet pa u këshilluar me Kongresin.

Në njoftimin e tij, Grenell ka thënë se Drejtoria e Partneriteteve të Sigurisë Kombëtare do të eliminohet dhe funksionet e saj do të barten nëpër zyra të tjera.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme