Profesori universitar dhe njohësi i çështjeve politike, Rrahman Paçarizi, në një prononcim për Ekonomia Online ka folur rreth koalicioneve parazgjedhore ndërmjet partive politike në vend si dhe aderimeve në këto parti.
Ai koalicionet e deritashme ndërmjet AAK-së dhe PSD-së si dhe Nismës dhe ARK-së po i sheh si koalicione pragmatike e jo në bazë të programeve politike që ato kanë.
“Koalicionet janë pragmatike nuk mund të them se koalicionet janë bërë në bazën e orientimeve programore, mirëpo kur kemi parasysh që partitë politike në Kosovë nuk i kanë të qarta orientimet e veta programore atëherë mund të thuhet se nuk ka gjë të keqe nga këto koalicione”.
Paçarizi më shumë i sheh këtë koalicione si matje para elektoratit për të dalë subjekte të respektueshme, pasi ka pasur frikë që disa nga partitë si PSD dhe AKR nuk do të mund të kalojnë pragun.
“Partitë politike e kanë matur veten se si u bie më mirë dhe koalicionet e deritashme i shoh si një përpjekje për të dalë subjekte politike të respektueshme. Ndoshta mund të ketë qenë edhe një frikë që ndonjë nga këto subjekte politike ka qenë e pasigurt nëse do ta kaloj pragun apo jo, është folur shumë se partia Socialdemokrate mund të mos e kaloj pragun, mirëpo Partia Socialdemokrate e Kosovës ka një sasi të njerëzve shumë cilësor të cilët do të mund të ishin shumë të rëndësishëm të vlefshëm për secilin nga subjektet politike”, tha ai për EO.
“Kemi edhe një koalicion në mes të Nismës dhe AKR-së, mendoj që Nisma është forcuar gjatë këtij mandati qeverisës qoftë për shkak të punës qoftë për shkak të një përpjekje për tu shtrirë në teren edhe përmes qëndrimeve parimore që ka mbajtur në raport me z. Haradinaj. Nisma po synon njëfarë shtrirje jashtë territorit që e ka menduar të vetin, ndërkohë që Aleanca Kosova e Re nuk ka bërë shumë për të qenë një parti që e kalon pragun prandaj ka bërë mirë që është mbështetur tek Nisma”.
Paçarizi thotë se aderimet në partitë politike janë shumë normale dhe të pranueshme, por që lëvizjet nga një parti në tjetrën i sheh si kalkulime politike për interesa personale.
Paçarizi ka komentuar edhe largimin nga Nisma Socialdemokrate të ish-ministrit Hasani dhe të ministrit në detyrë Shyqiri Bytyqi. Ai ka thënë se lëvizjet e tyre nuk i sheh si lëvizje cilësore, por si kalkulime politike personale dhe se këto lëvizje po i bëjnë pasi i kanë konsumuar privilegjet e të qenurit ministra.
“Aderimet në partitë politike janë më se normale njerëzit në një moment të caktuar vendosin për të iu bashkuar një subjekti politik qoftë për të realizuar ambiciet e tyre qoftë duke menduar se mund të japin ndonjë kontribut, unë angazhimin politik e shoh si shumë të rëndësishëm si pozitiv, mirëpo lëvizjet nga një parti në tjetrën më shumë i shoh si kalkulime personale madje madje në një masë të caktuar shumë të pandershme, sepse lëvizjet bëhen nga një parti në partinë e cila besohet se do të ketë diçka në pushtet dhe këto lëvizje kryesisht i kanë bërë para se gjithash flas për dy ministrat e Nismës, lëvizjet e tyre i kanë bërë pasi i kanë konsumuar edhe privilegjet e të qenit ministra sepse unë nuk besoj që ndonjë situatë normale qoftë z.Hasani, qoftë z.Bytyqi do të mund të ishin figura mjaft cilësore për të qenë ministra në sektorët përkatës. Nuk i shoh si lëvizje cilësore normale politike më shumë i shoh si kalkulime personale”, tha ai për Ekonomia Online.
Profesori Paçarizi nuk e ka përjashtuar mundësinë që të angazhohet në politikë, por që sipas tij partitë nuk janë atraktive për të pasi kanë mungesë demokracie të brendshme.
“Nuk e përjashtoj mundësinë, por sigurisht që me kushtet e mija, partitë politike në Kosovë në stadin e tashëm nuk janë të gatshme të jenë mjaft atraktive për mua ose për njerëz si unë që duan të thonë se janë sovran në vendimet e tyre. Unë nuk e shoh veten në asnjërën nga partitë politike jo për shkak të programeve që i kanë sepse ka parti politike të cilat i kanë programet të cilat do të mund të ishin të përshtatshme, por nuk i shoh atraktive për shkak të mungesës së demokracisë së brendshme”.