Paçarizi: Seminari nuk është institucion i izoluar i albanologjisë

Prishtinë | 15 Gus 2016 | 15:42 | Nga

Seminari nuk është institucion i izoluar i albanologjisë, por institucion që krahas promovimit të gjuhës, letërsisë dhe kulturës shqiptare, synon ta ndërlidhë albanologjinë me shkencën dhe letërsinë botërore. Kështu u tha në hapjen e punimeve të Seminarit të XXXV Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, i cili po mbahet në Fakultetin e Filologjisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, e cilësoi Seminarin si një prej ngjarjeve, e cila e përfaqëson më së miri identitetin dhe kulturën shqiptare.

“Seminari pa asnjë dyshim tanimë është një prej ngjarjeve më të rëndësishme të kulturës shqiptare ku bashkohen njerëz të gjuhës shqipe, të letërsisë dhe kulturës dhe për disa ditë ata këmbejnë kulturën e tyre, dhe mësojnë gjithnjë duke avancuar edhe më tutje dijet albanologjike.” – shtoi më tutje Mustafa.

Kryeparlamentari Kadri Veseli, në fjalën e tij, falënderoi themeluesit dhe profesorët të cilët i kanë dhënë jetë Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare.

“ Ky është një shembull i mirë për institucionet e Republikës së Kosovës, një traditë shumë e mirë e promovimit të Kosovës, e cila do të duhej të ndodhte jo vetëm në këtë fushë e cila po tregon dhe po besoj veçanërisht në fushën e zhvillimit tonë ekonomik në mënyrë që të kemi sa më shumë investitorë që investojnë në Kosovë, ta njohin Kosovën ashtu si besoni dhe të vini sot në Kosovë me dhjetëra e qindra studiues të albanologjisë”, tha Veseli.

Drejtori i Seminarit Rrahman Paçarizi ftoi rektorin, prorektorët dhe autoritetet akademike që vendosin për valorizimin e punës shkencore në Universitetin e Prishtinës të kenë parasysh faktin se Seminari nuk është institucion i izoluar i albanologjisë, por institucion që krahas promovimit të gjuhës, letërsisë dhe kulturës shqiptare, synon ta ndërlidhë albanologjinë me shkencën dhe letërsinë botërore.

“Studimet kontrastive e ndihmojnë albanologjinë, injorimi i tendencës për përfshirjen e albanologjisë në shkencën dhe letërsinë botërore shpejt mund ta shndërrojë Seminarin në një institucion lokal të dijes që sillet rreth vetvetes”, theksoi Paçarizi.

Dekanja e Fakultetit të Filologjisë Lindita Rugova, tha se të flasësh për historikun e Seminarit është të sikur të flasësh për jetën e Fakultetit të Filologjisë në veçanti dhe të UP-së në përgjithësi.

“Një rrugëtim i vështirë, me shumë peripeci, por gjithnjë në kërkim të ngritjes dhe avancimit të dijes, në kërkim të forcimit të bashkëpunimit ndërakademik dhe në kërkim të promovimit të vlerave tona në botë, një tubim i lartë shkencor dhe kulturor që ka arritur të shndërrohet në një institucion të rëndësishëm ndërkombëtar dhe me impakt të lartë në avancimin e shkencës dhe të kulturës, në zbërthimin e gërshetimit të gjuhëve e të kulturave të ndryshme me shqipen dhe në avancimin e studimeve gjuhësore, letrare dhe kulturore të shqipes në shumë qendra botërore universitare”, tha Rugova.

Ndërsa Rektori i UP-së Marjan Dema tha se ky organizim shkencor synon të promovojë gjuhën, letërsinë dhe kulturën shqiptare dhe është dëshmi e gjallë që këto institucione kanë potencial për prodhim të dijes dhe shkencës.

“Kam disa arsye pse e konsideroj këtë institucion të rëndësishëm për këtë eveniment shkencor për institucionet tona. Seminari  Ndërkombëtar  për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare i cili tani është në edicionin e 35-të me radhë në të cilin kanë kaluar studiues të letërsisë dhe gjuhës shqipe”, tha ai.

Të ngjashme