Pacientët me kancer pesë herë më të rrezikuar nëse infektohen me Coronavirus

Prishtinë | 17 Kor 2020 | 09:56 | Nga Ekonomia Online

Mikkael Sekeres, mjek specialist për leukeminë akute në Shtetet e Bashkuara, thotë se pacientët me kancer kanë shanse të njëjta sikurse edhe njerëzit e tjerë që të kapin koronavirusin, por rreziku për t’u sëmurë rëndë te ta është shumë më i lartë.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ai thotë se gjasat e tyre që të sëmuren rëndë, madje edhe të vdesin, janë ndoshta pesë herë më të mëdha.

Sekeres, i cili është autor i librit “When blood breaks down – Life lessons from leukemia” [Kur gjaku prishet – Mësime jetësore nga leukemia], po ashtu tërheq vërejtjen se situata e krijuar me koronavirus ka shtyrë diagnostikimet e kancerit, sëmundjes që “është aq e frikshme ose më e frikshme se Covid-19”.

Radio Evropa e Lirë: Doktor Sekeres, ju punoni në Departamentin e Hematologjisë dhe të Mjekësisë Onkologjike në Klinikën Cleveland në Ohajo të Shteteve të Bashkuara. Cila është ajo këshilla e parë, kryesore, që u jepni pacientëve tuaj me kancer, në këtë kohë të pandemisë së koronavirusit?

Mikkael Sekeres: Unë kam specializuar për leukeminë akute dhe një nga pacientët e mi më ka thënë se duket sikur e gjithë bota ka leukemi, për shkak të kujdesit që gjithkush duhet të bëjë për t’u mbrojtur nga Covid-19. Mendoj se ka pasur shumë të drejtë.

Kur unë flas me pacientët e mi u jap shumë këshilla të ngjashme që u kam dhënë për kohë të gjatë. Secili me sistem të cenueshëm imunitar e di se kur del në publik duhet të veshë maskë, të jetë vazhdimisht i vëmendshëm ndaj gjithçkaje që prek dhe më pas të lajë duart apo të përdorë dezinfektues, si dhe të jetë i kujdesshëm ndaj kontakteve përreth. Pra, këshillat që japim tani për secilin janë të njëjta me ato që u japim njerëzve, të cilëve kanceri ua ka goditur sistemin imunitar.

Radio Evropa e Lirë: Por, shumë pacientë me kancer e kanë aq të brishtë sistemin imunitar për shkak të trajtimeve. A ka ndonjë masë të veçanë që ndiqni apo që duhet ndjekur?

Mikkael Sekeres: Gjithçka që kam lexuar tregon se edhe pse pacientët e mi nuk janë më të cenueshëm se unë apo se ju ndaj kontraktimit të Covid-19, gjasat e tyre që të sëmuren rëndë nëse e kapin virusin, madje edhe të vdesin, janë ndoshta pesë herë më të mëdha se të juajat, të miat apo të dikujt në grup-moshën e njëjtë.

Prandaj, kërkoj nga pacientët e mi që të vazhdojnë t’i praktikojnë gjërat e sigurta, si edhe përpara, të vazhdojnë të qëndrojnë të izoluar.

Radio Evropa e Lirë: Pra, pacientët me kancer janë në rrezik më të lartë…

Mikkael Sekeres: Ata nuk janë në rrezik më të madh nga kapja e virusit, por janë në rrezik më të madh për t’u sëmurë rëndë nëse e marrin virusin, sidomos pacientët që e kanë sistemin imunitar të prekur nga kanceri ose nga trajtimi i kancerit – për shembull pacientët e mi me leukemi ose pacientët me kancer në mushkëri, frymëmarrja e të cilëve mund të jetë tashmë e rënduar [nga sëmundja bazë – kanceri].

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme