Derisa ka disa prolongime të punëve në ndërtimin e ambulancave specialistike në QKUK, pacientët po shohin “të zitë e ullirit” në hallakamën e njerëzve që po presin me orë për kontrolle specialistike, shkruan sot, gazeta Zeri.
Bodrumi në Klinikën e Kirurgjisë është përplot njerëz ditëve të punës. Herët në mëngjes aty mësyjnë qindra pacientë të cilët kanë nevojë për të kryer kontrolle specialistike.
Korridori i ngushtë në bodrumin e Kirurgjisë mbledh numrin më të madh të ambulancave specialistike pas rrënimit të barakave, objektit të vjetër të ambulancave kur kishte filluar ndërtimi i objektit të ri.
“Këtu ish hallakamë. Erdhëm me ba një vizitë te kirurgu, por siç po e shihni është tmerr gjithçka”, thotë burri rreth të 50-tave që kishte një problem shëndetësor.
Pritje të gjata për një kontroll specialistik
Thotë të ketë ardhur herët në mëngjes, por pavarësisht kësaj ishin disa pacientë të cilët ishin futur jashtë radhës duke bërë që ai të presë me orë.
“Qe disa orë që jam duke pritur. Këtu disa po kanë të njohur dhe po futen në kontroll përmes tyre. Ne që nuk po e njohim askënd po mbesim në pritje”, ka thënë ai.
Tek një karrocë shtyn një qytetar në po atë hapësirë, pacienti mban duart lart nga trishtimi se do të “shkelë” ndonjë pacient.