Kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli, i shoqëruar nga kandidatët e partisë për deputetë në Kuvendin e Kosovës ka mbajtur takim me të rinj.
Pacolli tha se të rinjtë e AKR-s janë të shumtë dhe se prezenca tyre tregon fuqizim për AKR-në, raporton Ekonomia Online.
“Jemi para zgjedhjeve dhe prapë ne duhet të kujdesemi e të bisedojmë për qytetaret që të votojnë për kandidatët e AKR-s”, ka thënë Pacolli teksa para të rinjve prezantoi kandidatët për deputetë në Kuvendin e Kosovës.
“Ata që votojnë për AKR-në do të votojnë për deputetët e Aleancës Kosova e Re”, ka thënë Pacolli, teksa kujtoi që janë në koalicion me LDK-në dhe Alternativën.
Ai tha se kandidatët e Aleancës Kosova e Re janë njerëzit e duhur që do t’i përfaqësojnë qytetarët denjësisht. Pacolli shtoi se AKR ka 22 kandidatë, ndërsa përfaqësimi i rinisë është i dukshëm.
“Jam i bindur se AKR-ja do të krenohet me mandatin e përfaqësueseve të saj”, ka thënë ai.
Kandidatja Refiqe Tërnava ka thënë se vota e të rinjve ka vlerë.
“Në një muaj të shenjtë, ramazanit, të jemi të bashkuar duke sjellë ndryshimin”, ka thënë Tërnava.
Kryetari i Mitrovicës, njëherësh edhe kandidat për deputet, Agim Bahtiri ka thënë se AKR-ja është e vetmja parti që di të sjell ndryshim.
“Sikur në Mitrovicë që ka ndodhur ndryshimi radikal, ashtu do të ndodhë edhe me Republikën e Kosovës. Ky koalicion është i ndamë sikur nata me ditën. O sot o kurrë, për t’i dhenë Kosovës integrim për në Evropën e bashkuar, t’i dënojmë ata që na sollën këtë gjendje, kjo nuk i duhet Kosovës”, ka thënë Bahtiri.
Bahtiri ka përmbyllur fjalimin e tij duke thënë se Pacolli është Trumpi i ardhshëm i Ballkanit.