Zëvendës-Kryeministri i Parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli, gjatë vizitës së tij zyrtare në Maltë, u prit në një takim të veçantë nga Presidentja e Maltës, Marie-LouiseColeiroPreca.
Në kuadër të këtij takimi, Zëvendës-Kryeministri Pacolli fillimisht i ka përcjellë përshëndetjet Presidentes së këtij shteti në emër të Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ndërkohë që e ka falënderuar për mbështetjen konsistente të Maltës që i ka dhënë Kosovës dhe nëpër të gjitha proceset e rëndësishme që ka kaluar vendi ynë.
Tutje, Zëvendës-Kryeministri Pacolli kërkoi që mbështetja e tillë të vazhdojë të ekzistojë edhe më tutje, në veçanti sa i përket anëtarësimit të vendit tonë në Këshillin e Evropës, Interpol, UNESCO dhe Organizata të tjera dhe mbështetjen për forcimin e legjitimitetit ndërkombëtarë të Kosovës nëpërmjet zgjerimit të njohjeve të reja.
Duke folur për anëtarësimin e Kosovës në Organizata Ndërkombëtare, Presidentja e Maltës, Marie-LouiseColeiroPreca tha se Malta në vazhdimësi e ka mbështetur Kosovës dhe do të vazhdojë që ta mbështesë edhe më tutje.
Zëvendës-Kryeministri i Parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli dhe Presidentja e Maltës, Marie-LouiseColeiroPreca, kanë vlerësuar marrëdhëniet shumë miqësore të zhvilluar në mes dy vendeve dhe dy popujve, dhe kanë diskutuar edhe për nënshkrimin e një Memorandumi Bashkëpunimi në mes dy vendeve në fushat që do të jenë me interes për të dyja vendet dhe që do të përfshijnë arsimin dhe të tjera.