Nën organizimin e Akademisë Diplomatike nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe me mbështetje të Fondacionit gjerman Friedrich Ebert Stiftung, filloi punimet konferenca e katërt me radhë e Shkollës Diplomatike për diplomatët e rinj dhe me përfaqësim nga vende të ndryshme të botës, me temën “Të drejtat e Njeriut dhe Demokracia”.
Në fillimin e punimeve të kësaj ngjarje diplomatëve të pranishmëve iu drejtua edhe Zëvendës-Kryeministri i Parë dhe Ministri i Punvëve të Jashtme, z. Behgjet Pacolli.
Me këtë rast, Zëvendës-Kryeministri dhe Ministri i Jashtëm, z. Pacolli fillimisht i ka dëshiruar mirëseardhje diplomatëve të pranishëm dhe më pas i ka përgëzuar organizatorët dhe mbështetësit e kësaj konference.
“Si të gjithë e dinë, Prizreni konsiderohet nga media e gjithë botës si njëlloj Kryeqyteti i bashkëjetesës fetare dhe ndëretnike. Dhe, tema është e qëlluar në kohën e duhur, në vendin e duhur”, ka thënë Zëvendës-Kryeministri dhe Ministri i Jashtëm, z. Pacolli.
Më pas, ai, ka folur edhe për ndihmën, që vendi i ri dhe i vogël si Kosova mund të ofrojë në diplomacinë ndërkombëtare.
“A mundet Kosova e vogël, të ndihmojë me diçka mendimin diplomatik botëror, eksperiencën e një diplomati? Sado paradoksale të duket si pyetje, unë besoj se të gjithë duhet t’i përgjigjemi me PO. Kosova, i jep shembull popujve që vuajnë diskriminimin etnik me eksperiencën e vet në luftën për shtet-formim, për demokraci dhe të drejta njerëzore, me Ibrahim Rugovën, të mbiquajtur Gandi i Europës. Kosova është shembull edhe për tolerancën ndaj pakicave. Pakica serbe ka me Kushtetutën tonë dhe në praktikë, një paket të drejtash, që nuk i ka asnjë pakicë tjetër në botë”, ka vlerësuar Zëvendës-Kryeministri dhe Ministri i Jashtëm, z. Pacolli.
Me një fjalë të pranishmëve i është drejtuar edhe Drejtori i përgjithshëm i Akademisë Diplomatike, Ambasador, Beqir Ismaili. “Shkolla Diplomatike përfaqëson aktivitetin më të rëndësishëm, në kuadër të Akademisë Diplomatike. Andaj, duke pasur parasysh ndihmën e shteteve demokratike në ndërtimin e shtetit të Kosovës, duke pasur të qartë rolin dhe rëndësinë e të Drejtavetë Njeriut në zhvillimin e shtetit të Kosovës, këto dy tema janë bosht i shtet-ndërtimit dhe zhvillimit të Republikës sonë”, ka thënë Ambasadori Ismaili.
Në panelin e parë diplomatëve të rinj iu adresuan me fjalën e tyre edhe z. Frank Hantke, Drejtor për Kosovë i fondacionit gjerman Friedrich Ebert Stiftung, pastaj ish- Presidenti i Republikës së Kosovës, z. Fatmir Sejdiu dhe ish-ministrja për Dialog, Edita Tahiri.
Shkolla diplomatike për diplomat të rinj vlerësohet si njëri nga aktivitetet më të rëndësishme vjetore të Akademisë Diplomatike të Ministrisë së Punëve të Jashtme, e cila bashkon diplomatë të rinj nga e gjithë e bota. E veçanta e këtij viti është pjesëmarrja edhe e diplomatëve të rinj nga Tajlanda, veç diplomatëve nga vendet e rajonit si Kroacia, Bullgaria, Maqedonia dhe Mali i Zi.