Me ftesë të Qeverisë së Republikës së Turqisë, Zëvendës-Kryeministri i Parë dhe Ministri i Jashtëm i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli, po merr pjesë dhe po e përfaqëson Republikën e Kosovës në sesionin e 33-të të COMCEC-ut, Organit Ekonomik dhe Bashkëpunimit Tregtarë të shteteve të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik, që po i zhvillon punimet e saj në Stamboll të Turqisë.
Në sesionin e pasdites, Zëvendës-Kryeministri i Parë dhe Ministri i Jashtëm, Pacolli, do t’i adresohet edhe më një fjalim sesionit ministror të njëzet e katër Ministrave të Ekonomisë dhe Punëve të Jashtme të shteteve anëtarë të kësaj Organizate,të pranishëm në këtë takim.
Pjesëmarrja e Ministrit të Jashtëm, Pacolli, në këtë ministerial është konceptuar si mundësi për të forcuar marrëdhëniet me vendet e kësaj Organizate, që tashmë e kanë njohur vendin tonë dhe njëkohësisht për të lobuar tek ato, që ende nuk e kanë marrë këtë vendim.
Në margjina të këtij ministeriali Ministri, Pacolli, është takuar me disa delegacione dhe përfaqësues të nivelit të lartë të shteteve njohëse dhe jo-njohëse të Republikës së Kosovës.
Organizata e Bashkëpunimit Islamik përbëhet nga 57 shtete anëtare, prej të cilëve 36 shtete e kanë njohur Republikën e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran.