Në kuadër të vizitave nëpër Komuna, Presidenti i Aleancës Kosova e Re dhe kandidatët e partisë për deputetë në Kuvendin e Kosovës, sot në Ferizaj, kanë zhvilluar një bashkëbisedim me qytetarët e kësaj Komune.
Duke i falënderuar qytetarët e shumtë për pjesëmarrje, Presidenti Pacolli i prezantoi para tyre kandidatët e AKR-së. Ai tha se është kënaqësi të kesh pranë vetes bashkëpunëtorë të fushave të ndryshme dhe të cilët do të kontribuojnë në zhvillimin e vendit.
Pacolli fillimisht i prezantoi para ferizajasve kandidatët e këtij rajoni Labinot Tahirin dhe Mimoza Ibishin, për të vazhduar më pas edhe me prezantimin e kandidatëve të tjerë të pranishëm, në mesin e të cilëve Agim Bahtiri, Albena Reshitaj, Vesel Makolli, Laninote Demi Murtezi, Mirlinde Gashi, Korab Sejdiu, Myzejene Selmani Islam Pacolli e Refiqe Ternava Beka.
Në fjalën e tij para qytetarëve Presidenti Pacolli tha se AKR garanton shpresë për Kosovën. “Me AKR-në do të jetësohet shpresa e të rinjve, do të jetësohet shpresa e qytetareve të Kosovës” tha Pacolli duke treguar kështu për pikat esenciale të programit të AKR-së. “Në programin tonë janë të parapara të gjitha shtyllat që nevojiten për reformat që duhet të bëhen në Kosovë, e veçanërisht në aspektin ekonomik. Pa zhvillim ekonomik nuk mund të ketë cilësi as në shëndetësi, as në arsim dhe as në mirëqenien e përgjithshme të qytetarëve”, ka thënë Pacolli.
Ai më tej ka treguar se edhe në marrëveshjen e koalicionit, janë harmonizuar programet, të cilat janë përshtatur si është më së miri për t’i plotësuar të gjitha hapësirat që nevojiten për ndryshimin e gjendjes ekonomike në Kosovë.
Qytetarët e Ferizajt, me një fjalë rasti i përshëndeti edhe kandidati për deputet, njëherit kryetari i degës së AKR-së në Ferizaj, Labinot Tahiri, i cili tha se me AKR-në në qeverisje, nuk do të punohet për interesa personale, por për sigurimin e një të ardhme të denjë për qytetarët e Kosovës.