Në vazhdim të turneut të tij diplomatik vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe me qëllimin e sigurimit të mbështetjes për liberalizimin e vizave dhe anëtarësimit të vendit në Organizata Ndërkombëtare, Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli, sot po qëndron për vizitë zyrtare në Mbretërinë e Holandës.
Kryediplomati kosovar, Pacolli, së pari është pritur në një takim të veçantë në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Mbretësisë së Holandës, nga homologu i tij holandez, Stef Blok.
Në margjina të këtij takimi dypalësh, Ministri i Jashtëm kosovar, Pacolli, fillimisht ka falënderuar Ministrin e Jashtëm holandez, Blok, për mbështetjen konsistente holandeze në procesin e shtet-ndërtimit të Kosovës; ka shprehur zotimin për thellimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit bilateral në mes dy vendeve dhe dy popujve në të gjitha fushat e interesit reciprok, ndërkohë që ka kërkuar mbështetjen holandeze për procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës si dhe vazhdimin e pëkrahjes për anëtarësimin e Kosovës në Interpol dhe Organizata të tjera Evropiane dhe Ndërkombëtare.
“Na nevojitet përkrahja Juaj për anëtarësim në Organizatat Ndërkombëtare dhe siç e dini, një nga çështjet primare për qytetarët e Kosovës është Liberalizimi i Vizave. Në lidhje me Liberalizimin e Vizave, mund t’ju siguroj se të gjitha kriteret janë përmbushur. Qeveria e Kosovës është e bindur se pas ratifikimit të marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi, Komisioni do të vlerësojë pozitivisht përpjekjet e Kosovës në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Do të ishim mirënjohës për mbështetjen e shteteve anëtare në përfundimin e suksesshëm të procesit të liberalizimit të vizave për Kosovën brenda institucioneve të BE-së, veçanërisht kur është fjala për votimin në Këshillin e Drejtësisë dhe Punëve të Brendshme”, ka thënë kryediplomati kosovar.
Zbatimi i MSA-së; Agjendës Evropiane të Reformave; synimi i vendit tonë që të aplikojë për statusin e kandidatit në BE në një të ardhme të afërt; Strategjia e re për Zgjerim e BE-së; Procesi i Berlinit; Samiti i fundit në Sofje e ai i ardhshëm në Londër dhe dialogu me Serbinë kanë qenë disa nga temat e tjera të diskutimit.
Në fund, kryediplomati kosovar i ka përcjellur një falenderim të veçantë kryediplomatit holandez për mbështetjen holandeze nëpërmjet programeve të ndryshme në ngritjen e kapaciteteve të institucioneve të Republikës së Kosovës në diplomaci, sundimin e ligjit, sistemin e drejtësisë atë të sigurisë si dhe programet tjera të Qeverisë holandeze, që kanë ndihmuar në zhvillimin ekonomik të vendit dhe krijimin e vendeve të reja të punës.