Në vazhdën e takimeve të Ministrave të Punëve të Jashtme në kuadër të Procesit të Berlinit, që me 11 dhe 12 prill po zhvillohen në Varshavë, Zv.kryeministri i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli, mori pjesë në drekën e punës me temën “Presidenca Polake – gjendja aktuale dhe pritjet e palëve”, debat ky i bashkëdrejtuar nga Ministri i Jashtëm i Polonisë, Jacek Czaputowicz dhe Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Heiko Maas.
Në fjalën e tij, Pacolli fillimisht shprehu mirënjohjen dhe vlerësimin e tij për mikpritësit dhe përpjekjet e tyre për organizimin sa më të sukseshëm dhe me të arritura konkrete të Samitit të ardhshëm në Poznan.
Në vazhdim, kryediplomati kosovar, Pacolli, ripërsëriti qëndrimin se Kosova e konsideron Procesin e Berlinit si një iniciativë shumë positive, e cila mbështet dhe lehtëson rrugën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
“Ne, duhet ta përsërisim për qytetarët tanë se Procesi i Berlinit nuk është një alternativë, por një mjet plotësues për integrimin evropian të rajonit”, tha Pacolli.
Duke folur për Samitin dhe çështjet bilaterale, ministri Pacolli tha se dialogu me Serbinë është i domosdoshëm për të gjetur zgjidhje për shtetet dhe popujt tanë dhe për të ecur në rrugët tona respektive drejt integrimeve evropiane.
Dialogu në Bruksel nuk zhvillohet për teritore e popuj, por për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve tona dhe hapjes së rrugës së integrimeve Euro-Atlantike.
“E kam vleresuar me drekën e përbashkët të punës me ministrat e jashtëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe ministrave të Gjermanisë e Polonisë si bashkëorganizator të takimit në Varshavë se bashkëpunimi rajonal është thelbi i ecjes përpara dhe ky bashkëpunim duhet të mbështetet në marrëveshje, dialog dhe në zgjidhje paqësore. Procesi i Berlinit është një nismë e rëndësishme, që po ndihmon gjithë rajonin në vendosjen e lidhjeve infrastrukturore, zhvillimin ekonomik dhe mbi të gjitha lehtësimin e marrëdhënieve tona në Ballkan e përmirësimin e tyre. Kosova është pjesë e pandashme e këtij procesi dhe ne po ecim me hapa të sigurt drejt një të ardhme paqësore”, ka thënë ndër të tjera, Pacolli në fjalën e tij.
Ai, poashtu ka folur për përkushtimin e Kosovës në promovimin dhe punën drejt lëvizjes së lirë të kapitalit, mallrave, shërbimeve, por mbi të gjitha të lëvizjes së lirë të njerëzve, si themeli i ndërlidhjes rajonale.
Pacolli bëri thirrje që edhe cështja tjetër e rëndësishme për t’u përfshirë në Samitin e Poznanit është Marrëveshja e Njohjes së Ndërsjellë për Kualifikimet Profesionale, duke besuar se marrëveshja përfundimtare mund të arrihet në Samit, duke shpresuar se finalizimi i kësaj marrëveshjeje është me rëndësi vendimtare në kohën kur të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor përballen me sfidën e ikjes së trurit, kështu që mund të shihet, gjithashtu si një mekanizëm shtesë për të luftuar këtë fenomen shqetësues.
Nga ana tjetër, ai poashtu tha se shoqëritë në Ballkanin Perëndimor ende kanë pak informacion rreth Procesit të Berlinit, prandaj ka nevojë, që shoqëritë të jenë në gjendje të afrojnë më afër procesin dhe këtu, roli i të Rinjve dhe Shoqërisë Civile është me rëndësi të madhe.
Në përfundim të adresimit, Pacolli falënderoi nikoqirët për përpjekjet e tyre për t’i përmbushur të gjitha pritshmëritë dhe për ta lidhur rajonin sa më shumë që të jetë e mundur drejt së ardhmës së përbashkët evropiane.