Ministrja në detyrë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, ka reaguar pas aksidentit tragjik në një kantier ndërtimi në Prishtinë, ku një person humbi jetën dhe një tjetër mbeti i lënduar rëndë.
Pacolli ka shprehur ngushëllime për familjen e viktimës dhe ka uruar shërim për të lënduarin, duke kërkuar njëkohësisht përgjegjësi për rastet e përsëritura në vendpunishte.
“Me trishtim dhe keqardhje të thellë mora lajmin tragjik për humbjen e një jete dhe lëndimin e rëndë të një qytetari sot në një kantier ndërtimi në Prishtinë. Ngushëllimet më të sinqerta familjes për këtë humbje të madhe, ndërsa të lënduarit i uroj shërim të shpejtë dhe të plotë”, ka shkruar Pacolli.
Ajo ka thënë se ky është rasti i katërt i fundit në Prishtinë që, sipas saj, lidhet me rrezikim të jetës dhe dëmtim të pronës, duke kërkuar adresim të përgjegjësisë.
“Ky është incidenti i katërt me rrezik jete dhe dëmtim prone që ndodh së fundmi pikërisht në Prishtinë, dhe është e papranueshme që askush nuk duket se po mendon për adresimin e përgjegjësisë”, ka deklaruar ajo.
Në cilësinë e ministres në detyrë, Pacolli ka theksuar se përgjegjësia për mbikëqyrjen e sigurisë në ndërtim bie mbi nivelin lokal.
“Në cilësinë e Ministres së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, theksoj se përgjegjësia kryesore dhe e drejtpërdrejtë për lejimin, mbikëqyrjen e sigurisë dhe parandalimin e këtyre rasteve bie mbi Inspektoratin Komunal të Ndërtimit dhe vetë Komunën e Prishtinës. Këto dështime të njëpasnjëshme të nivelit lokal kërkojnë llogaridhënie të menjëhershme dhe të pashmangshme”, ka shkruar Pacolli.
Ajo ka bërë të ditur se ministria po verifikon çdo lëshim të mundshëm dhe se do të kërkohet që përgjegjësit të japin llogari para ligjit.
“Ministria po verifikon me seriozitet çdo lëshim dhe do të kërkojë që çdo shkelës të japë llogari para ligjit”, ka theksuar ajo.
Pacolli u ka bërë thirrje edhe odave profesionale që të vlerësojnë nëse ka pasur mungesë profesionalizmi dhe të ndërmarrin masa ndaj përgjegjësve.
“Kërkoj drejtpërdrejt nga Odat profesionale që rregullojnë profesionet përkatëse të vlerësojnë urgjentisht situatën nëse ka pasur mungesë profesionalizmi dhe të marrin masa disiplinore, deri në revokimin e plotë të licencave për profesionistët përgjegjës”, ka përfunduar ministrja në detyrë.
Ajo ka theksuar se siguria e qytetarëve, pronës dhe standardeve të ndërtimit, sipas saj, nuk mund të negociohet.