Zëvendëskryeministri dhe ministër i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka njoftuar kabinetin qeveritar se ka formuar një ekip punues për aplikimin e Kosovës në Këshillin e Evropës (KE).
Pacolli ka thënë se në mesin e 11 anëtarëve të këtij grupi janë përfshirë edhe ekspertë nga shoqëria civile.
“Në pjesën e parë të muajit të kaluar kam krijuar një grup punues në mbështetjen për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Një hap shumë i vlefshëm për ne është edhe procesi i anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës. Kam krijuar një grup prej 11 anëtarësh, të cilët janë duke punuar intensivisht. Ata janë duke përgatitur një plan të veprimit”, tha Pacolli, raporton Ekonomia Online.
“Në bazë të dinamikës, Republikë e Kosovës do të dorëzoj shumë shpejt aplikimin në këtë Këshill. Kërkoj nga të gjithë ju që të jeni një mendimi të bashkërendisim të gjitha detyrimet dhe të kem një uniformitet politik në këtë proces. Është shumë me rëndësi që të jemi unik në këtë proces”, shtoi ai.
Shefi i diplomacisë kosovare tha se së bashku me Ministrinë e Punëve të Brendshme, janë duke punuar edhe për procesin e anëtarësimit në Interpol.
Ndërkohë, ka njoftuar se në javën e ardhshme do të udhëtojë për në Arabinë Saudite ku do të takojë ministrin e Jashtëm të këtij vendi ku do të diskutohet për këtë çështje.