Kreu i Aleancës Kosova e Re (AKR) Behgjet Pacolli, u ka shkruar një letër të gjithë anëtarëve të Kryesisë së partisë së tij, për të arsyetuar vendimin për të hyrë në qeveri me PAN-in.
Kjo është letra e plotë e tij:
Pse AKR në qeveri
Vendi u bllokua
Qëndrimi AKR-së ka qenë që Kosovës pas rezultateve të 11 qershorit i nevojitet një qeveri me bazë të gjerë.
AKR dhe deputetët e saj sikurse edhe subjektet tjera në koalicionin LAA kanë autorizuar Kryetarin e LDK-së që të negociojë me subjekte e koalicione të tjera për t`i themeluar institucionet e reja.
AKR ka qenë insistuese në vazhdimësi që LDK dhe LVV të arrijnë një marrëveshje për krijimin e shumicës parlamentare.
E kemi prit VV dhe LDK për me arrit një marrëveshje por ka qenë e kotë.
Iu dhamë edhe një limit kohor, me vullnetin e mirë që marrëveshja të arrihej. Kemi ndërmjetësuar në mënyrë active në këtë drejtim por ka qenë e kotë.
Kemi insistu për qeveri gjithëpërfshirëse ose teknike për një periudhë të caktuar ku do të merrnin pjesë të gjitha partitë ku do të zgjidheshin dhjet pikat kyçe që do ta mbajnë Kosovën peng, e pastaj të shkohet në zgjedhje.
Edhe këtë opsion nuk e deshi askush.
Kosova nuk e ka luksin që të qëndrojë e bllokuar. Janë miliona e miliona euro që kanë humbur si rezultat I bllokadës politike. Madje janë rrezikuar edhe pagesat për veteranët e luftës nga bllokada. Në perspektivën afatshkurtër rrezikoheshin edhe pagat e mbi 60 mijë shërbyesve civil.
Ndërkombëtarisht Kosova po humb çdo ditë miqtë e vet, imazhin dhe besimin. Investitorët në vend se të vijnë, po ikin ndërsa Kosova ditë pas dite po izolohet.
Partnerët ndërkombëtar dita ditës po e humbin interesin e tyre dhe përgjegjësitë po kalohen tek vendorët.
AKR si parti liberale që gjithmonë ka vënë në rend të parë interesin e shtetit dhe qytetarëve nuk ka mundur të jetë as pjesë e bllokadës dhe mos të bëjë zgjidhje aty ku mundet.
AKR tani për interes të qytetarëve dhe të kësaj çka u tha, ka vendosur që të mbështes mandatarin e qeverisë, në mënyrë që vendit ti jap një qeveri, dhe ta nxjerrë vendin nga kjo krizë e rëndë institucionale, pa krijuar trauma tjera për qytetarët dhe në imazhin e Kosovës.
AKR nuk bën koalicion as me PDK dhe as me dikë tjetër por ndërton marrëveshje qeverisë me mandatarin Ramush Haradinaj, me një mori propozimesh për reforma të cilat vendin do ta ridrejtojnë në binarët e duhur.
Reformat në administratën publike, ligjin e prokurimit, në gjyqësi për përshpejtimin e trajtimit të lëndëve të patrajtuara, rifunksionalizimin e zonave të lira ekonomike, krijimin e instrumenteve moderne për futjen e pronave të Kosovës në zinxhirin ekonomik, reformave në bujqësi, ruajtjen e ambientit, rifunksionalizimin e minierave, zhvillimin e infrastrukturës moderne, investimet në shëndetësi, arsim, kulturë dhe sport, ruajtjen e trashëgimisë kulturore.
Integrimi I Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe organizatat botërore njohje dhe anëtarësimet, paraqesin një kusht të pamohueshëm të bashkëpunimit.
Këto janë temat të cilat janë diskutuar me mandatarin e qeverisë, dhe për të cilat ekziston një dakordim i plotë.
Ministritë të cilat udhëhiqen nga AKR do të jenë efikase, të suksesshme dhe me rezultate të prekshme pozitive nga qytetarët.