Presidenti i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, ka thënë një tubim në Deçan se me partnerin e tyre të koalicionit, LDK, kanë program të përafërt, ndërsa synimi i tyre është të punojmë me përgjegjësi të lartë, duke qenë në funksion të zhvillimit të vendit ku do të ndërtohet një jetë më e mirë për qytetarët e Kosovës
Në një tubim në Deçan, ku i prezantoi kandidatët e AKR-së për deputetë, Pacolli ka treguar për pikat kryesore të programit qeverisës të koalicionit AKR-LDK, duke u fokusuar në pjesën ekonomike të këtij programi. Ai ka thënë se qysh në fillim të qeverisjes do të mundësohet rritja ekonomike prej 8 për qind.
“Bashkë me partnerin tonë, ne kemi paraparë edhe rregullimin e marrëdhënieve tatimore. Në lenden e parë në disa raste paguhet dogana dhe pastaj është e pamundur të dërgohet në eksport, pasi që produkti del shumë i shtrenjtë”, ka treguar lideri i AKR-së, ai është zotuar se koalicioni AKR-LDK do ta rregullojë këtë, duke i liruar prodhuesit nga disa tatime të cilat ai i ka quajtur të pakuptimta.
AKR dhe LDK në qeverisje do të krijojnë zona të lira ekonomike duke e bërë kështu bashkimin kombëtar ekonomik, rrjedhimisht investitorët do të kenë mundësi që të bashkëpunojnë me vendet e rajonit duke krijuar kështu një diapazon më të gjerë të të bërit biznes.
Pacolli gjithashtu ka theksuar se programi qeverisës i AKR-së parasheh që çdo i diplomuar të punësohet menjëherë pas kryerjes së universitetit. “Rinia jonë ka ide të mrekullueshme, ne do t’i jetësojmë ato. Ministria e punësimit nuk do te shërbeje vetëm për tu regjistruar te papunët, por për jetësimin e ideve që burojnë nga talentet kosovarë”, ka thënë ndër të tjera presidenti i AKR-së.
Presidenti Behgjet Pacolli, më pas i ka prezantuar një nga një edhe kandidatët për deputetë, në mesin e të cilëve ishin; Albena Reshitaj, Myzejene Selmani, Islam Pacolli, Mirlinde Gashi, Xhevdet Krasniqi, Vesel Makolli, Korab Sejdiu e Neshat Asllani.