Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës Behgjet Pacolli, në vazhdën e takimeve që po i zhvillon si diplomat i shtetit, ka takuar edhe sot në Bruksel raportuesen për liberalizim të vizave për Kosovën, Tanja Fajon.
Fajon ka shkruar në rrjetin social Facebook për takimin mes tyre, duke postuar edhe fotografi nga takimi i sotëm.
“Takim me ministrin e Punëve të Jashtme të Kosovës, z. Pacolli, mbi perspektivat për liberalizimin e vizave dhe prioritetet e qeverisë së re. Mbështetje e vazhdueshme brenda Parlamentit Evropian për progresin e Kosovës në rrugën e saj”, është shprehur Fajon.
Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, sot do të vizitojë edhe selinë e NATO-s në Bruksel.
Në këtë vizitë, Pacolli pritet të takohet me zëvendëssekretaren e Përgjithshme të NATO-s, Rose Gottemoeller.
Nuk janë dhënë detaje se çfarë do të diskutohet në këtë takim.
Derisa agjenda e ministrit Pacolli duket se do të jetë e ngjeshur edhe gjatë ditës së nesërme.
Ai pritet që nesër të ketë një takim me shefen për politikë të jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini.
Këto vizita të ministrit Pacolli vijnë pas vizitës së parë të tij në këtë post që e bëri në shtetin fqinj, Shqipëri, ku është takuar me krerët shtetërorë dhe një tjetër vizitë të ngjashme që e pati në shtetin tjetër fqinj, Mal të Zi.