Në kuadër të vizitave nëpër Komuna, Presidenti i Aleancës Kosova e Re dhe kandidatët e partisë për deputetë në Kuvendin e Kosovës, sot në Shtime, kanë zhvilluar një bashkëbisedim me qytetarët e kësaj Komune.
Tubimin e hapi Kryetari i degës se AKR ne Shtime, Muhamet Ademi, i cili e falënderoi Presidentin Pacolli për mbështetjen e pa kompromis ndaj kësaj dege. Ai ju bëri thirrje qytetarëve të shumtë që besimin e tyre të ja japin njerëzve të cilët kanë dëshmuar sukses dhe jo atyre që e kanë keqpërdorur besimin e tyre.
Në fjalën e tij para qytetarëve Presidenti Pacolli fillimisht i falënderoi qytetarët e shumtë për pjesëmarrje. Ai vazhdoi fjalimin e tij duke treguar për gjendjen aktuale ekonomike dhe sociale në Kosovë. “Kjo shihet në sytë e të rinjve, ata janë të pakënaqur me jetën e tyre. Janë këta të rinj të cilët kanë përfunduar shkollime të ndryshme, studente të dalluar, të cilët kanë shanse minimale në tregun e punës”, ka theksuar Pacolli. Ai ju ka bërë thirrje qytetarëve që besimin e tyre të ja japin njerëzve të cilët do të punojnë dhe nuk do të keqpërdorin pasurinë shtetërore dhe të qytetarëve.
Pacolli ka thënë se disa njerëz Kosovën e kanë zhvatur, grabitur dhe dhunuar, ai ka drejtuar kritika të ashpra drejtë institucioneve shtetërore, duke vënë theks të veçantë në sistemin e dështuar të shëndetësisë. Presidenti i AKR-së po ashtu ka përmendur rritjen e intensitetit të shkatërrimit të ambientit dhe injorimin total ndaj këtij fenomeni nga institucionet qendrore.
“Nuk kemi asnjë kilometër shtrat të lumit. Tash kemi ujë, mirëpo nëse nuk kujdesemi për ambientin tonë, në të ardhmen, ky do të jetë problem shumë i madh”, ka thënë ndër të tjera Presidenti Pacolli. Ai ju ka bërë thirrje qytetarëve që me datën 11 qershor, besimin e tyre të jua japin njerëzve të ndershëm, të denjë, të përgjegjshëm dhe transparentë.
Duke i falënderuar qytetarët e shumtë për pjesëmarrje, Presidenti Pacolli i prezantoi para tyre kandidatët e AKR-së për deputetë, në mesin e të cilëve Arta Haxhaj, Labinot Tahiri, Mirlinde Gashi, Vesel Makolli, Albena Reshitaj, Refiqe Ternava, Islam Pacolli, Labinote Demi,Mimoza Ibishi.
Me një fjalë rasti të pranishmit i përshëndeti edhe kryetari i degës së AKR-së në Ferizaj, Labinot Tahiri. Ai tha se Kosova ka nevojë për njerëz si Behgjet Pacolli, i cili të gjithë pasurinë e tij e ka bërë me duar të pastra. “Pasuria e tij është si një pasqyre e hapur. Por ai nuk krijoi pasuri vetëm për veten e tij”, tha Tahiri, ai tha se këtë e dëshmon fakti që Behgjet Pacolli ende kujdeset për qindra familje me gjendje të rëndë ekonomike.