Shefi i diplomacisë kosovare Behgjet Pacolli, ka dal në konferencë për media pas përfundimit të takimit të palëve të Kosovës dhe Serbisë në dialogun e Brukselit.
Ai ka thënë se ky proces i dialogut është në fazën e parë.
“Tani secili ka momentin e vet që të shpreh mendimin dhe kërkesat e veta, dhe nuk mund të themi se kemi ardhur te ndonjë konkluzion që kërkon zgjidhje. Sot palët dëgjojnë njëra – tjetrën dhe problemet artikulohen më vonë, jo sot”, ka thënë Pacolli.
“Nuk është fol për demarkacionin ende, por sigurisht se do të jetë njëra ndër çështjet”, ka thënë më tej ai.
Pacolli nuk ka mohuar mundësinë që Thaçi e Vuçiqi të jenë takuar sot edhe pa prezencën e shefes së diplomacisë së BE-së, Federica Mogherini.
“Gjithçka është e mundur. Takimet nuk janë të ndaluara, kanë ndodhur edhe në të kaluarën dhe do të ndodhin edhe në të ardhmen”, ka thënë Pacolli.
Kur ka komentuar deklaratat rreth kompromisit, Pacolli ka thënë se “sa e di unë aty ku është materia të kërkohet kompromisi, pala kosovare më duket se e ka bërë kompromisin e vet dhe e ka hedh në tavolinë me Pakon e Ahtisarit”.
“Nuk e di çfarë do të ketë, sigurisht nuk dua të spekuloj, ia lëmë tavolinës së bisedimeve”, ka thënë ai.
Pacolli ka folur edhe për lajmet për tërheqjen e njohjeve.
“Nuk dua të merrem me deklaratat e të tjerëve, jemi shumë konstruktiv jemi duke krijuar miqësi, marrëdhënie me botën, mund të them se kemi me dhjetëra shtete të fuqishme që janë në procesin përfundimtar të njohjes së Kosovës, nga të gjitha kontinentet. Është një proces i pandashëm dhe sigurisht se njohjet do të arrijnë dhe mos ta befasojnë askënd. Nuk ka pasur tërheqje të njohjeve”, ka thënë Pacolli.