“Aleanca Kosova e Re përbëhet nga njerëz besnikë, të denjë dhe të duhur për udhëheqje. Vota juaj duhet të drejtohet tek koalicioni AKR-LDK, tek njerëzit që ju besoni, sepse ata do të jenë zëri juaj në Kuvendin e Kosovës”.
Kështu e filloi fjalimin e tij Presidenti i AKR-së, Behgjet Pacolli në Lipjan, ku sot i prezantoi kandidatët e AKR-së për deputetë në Kuvendin e Kosovës.
Ai tha se tani është koha e fundit për ndryshime dhe se vota duhet të drejtohet nga njerëzit të cilët Kosovës do t`ia japin drejtimin e duhur.” Ju keni parë kush ka ndërtuar fabrika, kush punon për rini. Shikoni rreth vetës tuaj kush e meriton”, ka thënë i pari i AKR-së.
Ai ka treguar se AKR ka program qe kthen barazinë tek qytetaret, që respekton ligjin dhe qytetarin e Kosovës. Ai gjatë fjalimit të tij përmendi edhe Fabrikën e kërpudhave e cila është duke u ndërtuar në Lipjan me iniciativën e Presidentit Pacolli.
“Ne tash jemi duke e ndërtuar edhe një Fabrike gjigande të kërpudhave në Lipjan. Kjo do të jetë edhe një fabrikë që do të përdorë teknologji moderne dhe do të punësojë qindra njerëz”. Presidenti Pacolli ka shtuar se me qeverisjen e koalicionit AKR-LDK ndryshimi do të vijë edhe në komunën e Lipjanit.
Pas fjalës së tij para qytetarëve, Presidenti i AKR-së i prezantoi edhe kandidatët e AKR-së për deputetë. Në mesin e tyre ishin; Agim Bahtiri, Albena Reshitaj, Labinot Tahiri, Vesel Makolli, Satmifer Kryeziu, Mirlinde Gashi, Refiqe Ternava, Mimoza Ibishi, Arta Haxhaj e Islam Pacolli.