Padia e Ramës – Dënimi i Haradinajt precedent i rrezikshëm, mund të dënohet vetëm me gjobë

Prishtinë | 17 Jan 2020 | 13:50 | Nga Halide Rexhepi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Padia e kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama ndaj kryeministrit në detyrë të Kosovës Ramush Haradinaj ka bazë juridike, i tha Ekonomia Online, drejtori Ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD) Ehat Miftaraj.

Miftaraj thotë se Rama do të duhet të vërtetojë padinë 30 faqëshe nëse ka prova për tu cilësuar si shpifje dhe që e kanë cenuar integritetin personal të tij.

“Sigurisht që bazë juridike ka për të bërë  padi, sigurisht në çdo rast kur një qytetarë apo edhe në këtë rast edhe një zyrtarë i lartë publik i një shteti vlerëson se përmes deklarimeve publike të kryeministrit në detyrë në këtë rast zotit Haradinaj i është cenuar integriteti i tij  personal përmes siç ai i quan pretendime për shpifje kryesisht që kanë të bëjnë me bisedimet në mes të Kosovës dhe Serbisë, dhe dyshimet për marrëveshje për shkëmbime të territoreve në mes të Kosovës dhe Serbisë”.

“Në anën tjetër në bazë të legjislacionit të aplikueshëm në Kosovë, në të rast kryeministri i Shqipërisë e ka për obligim që të gjejë në njëfarë mënyre provat të cilat i ka paraqitur  tanimë gjykatës në padinë e tij mbi 30 faqe, ta vërtetoj apo ta bind gjykatën se deklarimet politike të kryeministrit në detyrë në njëfarë mënyre kanë qenë shpifje dhe kanë cenuar integritetin personalitetin e tij si kryeministër i Shqipërisë”.

Miftaraj është shprehur se nëse gjykata sjell vendim  në favor të kryeministrit shqiptar Edi Rama, kjo do të nënkuptonte dënim me gjobë apo vlerë monetare, pasi në Kosova nuk e ka të kriminalizuar shpifjen.

Ai tregon se gjoba do të mund të vlerësohej nga ekspertët t’i cilët i cakton gjykata apo edhe nga palët ndërgjykuese.

“Kosova nuk e ka të kriminalizuar shpifjen apo fyen që nënkupton që dënimet mund të jenë kryesisht me gjobë apo me masë monetare të cilën mund ta ketë kërkuar në këtë rast kryeministri i Shqipërisë e të cila pastaj mund të vlerësohet nga ekspertët që mund t’i cakton gjykata apo mund t’i caktojnë edhe vet palët”.

Në këtë fazë është shumë herët për të folur për një vlerë monetare që mund të jetë  gjobë, gjithmonë flasin nëse këtë e vërteton gjykata, e mund të themi lirisht që ndoshta në këto raste  shumë më e rëndësishme ose statisfaksion më i madh për Edi Ramën do të ishte nëse vërtetohet që Ramush Haradinaj ka bërë shpifje ndaj tij sesa ndonjë vlerë monetare”.

Miftaraj shprehet skeptik se Haradinaj do të dënohet. Ai thotë se nuk beson se gjyqtarët do ta dënojnë kryeministrin në detyrë pasi kjo do të ishte një precedent i rrezikshëm për udhëheqësit shtetërorë.

“Nëse marrim për bazë faktin që kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj në bazë të Kushtetutës së Kosovës udhëheqë me politikën e jashtme, e ka për obligim që të kujdeset për integritetin territorial sovranitetin e Republikës së Kosovës, nuk besoj që ka gjyqtarë në Kosovë e cila do të mund ta shpallte fajtorë zotin Haradinaj lidhur me deklarimet e tij politike, pasi kjo do të mund të ishte një precedent jashtëzakonisht i rrezikshëm”.

“Kryeministri, presidenti, kryeparlamentari  do të duhej të matnin fjalët në politikën e jashtme në raport me homologët e tyre apo edhe në konferenca ndërkombëtare nëse deklarimet e tyre do të mund të konsiderohen si shpifje nga gjykatat e Kosovës”.

Më 15 janar kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka ngritur padi për shpifje ndaj kryeministrit në detyrë të Republikës së Kosovës Ramush Haradinaj, në Gjykatën Themelore në Prishtinë,me pretendimin se i është cenuar integriteti personal nga Haradinaj.

Të ngjashme