Pagat pa rritje për mjekët, nxitje tjetër për mësymje Gjermanisë

Prishtinë | 17 Dhj 2019 | 15:51 | Nga Ekonomia Online

Mosrritja e pagave ashtu siç u ishte premtuar ka zhgënjyer punëtorët shëndetësorë në vend, të cilët edhe më shumë kanë shprehur interesim për të ikur nga vendi. Fluksi i ikjes së mjekëve thuhet se tashmë ka filluar të rritet

Pezullimi i Ligjit të Pagave nga ana e Gjykatës Kushtetuese ka shtyrë profesionistët shëndetësorë të interesohen edhe më shumë për ofertat për punë, që u vijnë nga jashtë. Punëtorët shëndetësorë, të cilët kanë pritur me padurim muajin dhjetor, kur ishte e paraparë që t’u dilnin pagat me rritje, tashmë kanë humbur shpresën se në Kosovë do të vlerësohet puna e tyre.

Kryetari i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, Blerim Syla, ka thënë për “Zërin” se fluksi i ikjes së punëtorëve shëndetësorë tashmë ka filluar të rritet, derisa numri i punëtorëve shëndetësorë që do ta lëshojnë vendin do të rritet edhe më shumë gjatë muajit janar.

“Ne sot i kemi lajmëruar edhe ambasadat e huaja, sepse fluksi tashmë ka filluar. Imagjinoni pas datës 1 janar sa ka për të qenë fluksi. Secili është shprehur që të kontribuojë në vendin e tij, por kur një grup individësh vendosin për fatin e punëtorëve shëndetësorë, për shkollimin shumëvjeçar të tyre ata tashmë e kanë humbur shpresën”, ka deklaruar ai.

Syla ka thënë se shumë shpejt do të shihet rreziku se Kosova do të mbetet pa staf mjekësor. Ai ka thënë se shtetet evropiane e sidomos Gjermania kanë hapur dyert për rekrutimin e profesionistëve shëndetësorë nga Kosova. “Rrezikun ata do ta shohin shumë shpejt. Janë hapur dyert e shteteve të Evropës, sidomos të Gjermanisë dhe jo vetëm mjekët, por edhe infermierët, sidomos të rinjtë të moshës 25, 26 vjeç, që janë të përgatitur do të ikin”, ka theksuar ai.

S’ka më durim

Edhe kryetari i Odës së Mjekëve, Pleurat Sejdiu, e ka parë si të rëndësishme rritjen e pagave për punëtorët shëndetësorë në vend. Derisa ka thënë se tregu është duke u zvogëluar, Sejdiu ka potencuar se me rritjen e pagave mjekët nuk do të mendonin fillimisht se si të ikin jashtë vendit. “Edhe ana financiare për një mjek e për familjen e tij është jetike. Paga është një shpërblim për mundin 6-vjeçar që e jep një mjek ose mundin 12-vjeçar të mjekut specialist. Tregu është duke u zvogëluar në Kosovë”, ka thënë ai.

Sejdiu ka thënë tutje se pezullimi i Ligjit për Paga ka goditur kauzën e tyre për ndaljen e mjekëve, të cilët kanë synim perëndimin. “Arsyeshmëria e qëndrimit në Kosovë për mjekët e rinj është në vijën e mosdurimit. Unë mendoj se mosrritja e pagave është një instrument që është duke goditur kauzën edhe të sindikatave, edhe të odave profesionale që mjekët të ndalen dhe të mos shkojnë në perëndim”, ka shtuar ai.

Ligji i pezulluar parashihte rritje të pagave deri në 100 për qind

Ligji për Paga parashihte rritje të pagave deri në 100 për qind për mjekët specialistë. Me Ligjin e Ri për Paga, të cilin e pezulloi Gjykata Kushtetuese, mjekët specialistë që janë paguar 661 euro ishte e paraparë të paguheshin 1 mijë e 195 euro, mjekët specialistë të mjekësisë familjare nga 615 euro sa janë paguar do të paguheshin 1 mijë e 195 euro, mjekët në specializim nga 566 euro në 872 euro, mjekët e përgjithshëm nga 566 euro do të paguheshin 836 euro, kryeinfermierët nga 472 në 621 euro, infermierët e parë nga 425 në 537 euro, ndërsa infermierët e dytë nga 377 euro sa janë paguar do të paguheshin 525 euro, shkruan tutje Zeri.

Pas pezullimit të Ligjit për Paga kishte reaguar edhe ministri në largim i Shëndetësisë, Uran Ismaili, i cili kishte thënë se vendimi i Kushtetueses rrezikon përpjekjet për ndaljen e ikjes së punëtorëve shëndetësorë nga vendi. Ai ishte shprehur i zhgënjyer me zvarritjen dhe me pezullimin e këtij ligji.

Pagat e pamjaftueshme, qeveria e re premton përmirësim të kushteve në shëndetësi

Për gjithë situatën e krijuar në vend me pezullimin e Ligjit për Paga është fajësuar qeveria e kaluar. Mjekja dhe deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Kollçaku, ka thënë për “Zërin” se qysh në fillim si subjekt kanë pasur vërejtje për Ligjin për Pagat, i cili ka pasur shumë mospërputhje. Ajo ka theksuar se pagat të cilat i marrin mjekët sot nuk janë të mjaftueshme. “Meqenëse ka shumë kategori të pakënaqura duhet të shihet se sa ka nevojë të rishqyrtohet ligji. Është një situatë e rëndë, sepse ne e dimë që edhe këta të cilët nuk kanë marrë pagat me rritje janë në gjendje shumë të vështirë. Pagën që e merr një mjek sot është shumë jomeritore. Qeveria në ikje e ka krijuar gjithë këtë situatë dhe kemi një qeveri që ende nuk është formuar dhe tani është një moment që edhe kjo çështje është vështirë të adresohet”, ka deklaruar ajo.

Kollçaku ka potencuar se si qeveri e re do të angazhohen në përmirësimin e kushteve për punëtorët shëndetësorë, në mënyrë që ata të mos kenë arsye të ikin drejt shteteve të tjera. “Qeveria ‘Kurti’ do të angazhohet në çdo mënyrë që profesionistët shëndetësorë të mos kenë arsye të ikin nga vendi, duke filluar me përmirësimin e kushteve të punës dhe duke e krijuar një barazi mes punëtorëve shëndetësorë. Po ashtu është e qartë se edhe rritja e pagave është një nga elementet e rëndësishme. Ne garantojmë se do të jemi të angazhuar që profesionistët të mos kenë nevojë të ikin nga vendi. Kjo nuk mund të bëhet brenda ditës. Ne duhet të krijojmë të gjithë mekanizmat që profesionistët shëndetësorë të vlerësohen në këtë vend, por në të njëjtën kohë pacientët të kenë qasje në shërbime”, ka shtuar Kollçaku.

Të ngjashme