Vranë shqiptarin në Athinë më 2008, arrestohen dy persona

Prishtinë | 21 Maj 2024 | 16:23 | Nga Ekonomia Online

Dy persona janë arrestuar për vrasjen e një 25-vjeçari shqiptar në Athinë, ngjarje që ka ndodhur në vitin 2008.

Strukturat Hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, në zbatim të letër-porosisë së dërguar nga Athina me qëllim identifikimin e dy autorëve të tjerë të ngjarjes së ndodhur më datë 06.12.2008, në bashkëpunim me Prokurorinë rihapën hetimet për identifikimin e dy bashkautorëve të tjerë të vrasjes së 25-vjeçarit.

Në vitin 2008, gjatë një konflikti për motive të dobëta, mbeti i vrarë A. Xh. dhe u plagos një tjetër, dhe për këtë ngjarje autoritetet greke mundën të identifikonin dhe ndalonin vetëm njërin prej tre autorëve të dyshuar të ngjarjes.

Si rezultat i hetimeve, Policia e Korçës në bashkëpunim me prokurorinë, bëri të mundur identifikimin dhe ndalimin e shtetasve: G. L., 41 vjeç, banues në Elbasan dhe A. T., 52 vjeç, banues në Tiranë, për të cilët prokuroria kishte nxjerrë urdhër-ndalim për veprën penale “Vrasja me dashje”, kryer në bashkëpunim.

Vijojnë hetimet e përbashkëta në lidhje me dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe ekstradimin e tyre drejt shtetit grek. /a2news

Të ngjashme