Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se ka filluar transferimi i mjeteve financiare në kuadër të Planit të Rritjes të Bashkimi Evropian për Kosovën.
Sipas tij, bëhet fjalë për një shumë prej 61.8 milionë eurosh që po jepet si parafinancim pas ratifikimit të marrëveshjeve mes Kosovës dhe Komisionit Evropian. Nga kjo shumë, rreth 29 milionë euro janë transferuar si kredi direkte në buxhetin e shtetit.
Ndërkohë, 33 milionë euro të tjera do të kanalizohen përmes Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF), ku 17.73 milionë euro janë në formë grantesh, ndërsa 15.31 milionë euro si kredi.
“Nga kjo vlerë, afër 29 milionë euro janë transferuar si kredi direkt në buxhetin e shtetit, ndërkaq 33 milionë euro të tjera, prej tyre 17.73 milionë në formë grantesh dhe 15.31 milionë si kredi, do të kalojnë përmes Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF)”, shkroi Kurti.
Kurti theksoi se Kosova mbetet e përkushtuar në zbatimin e Agjendës së Reformave dhe në shfrytëzimin maksimal të mundësive që ofron Plani i Rritjes. Ai shtoi se institucionet janë duke ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm për përmbushjen me kohë të obligimeve, duke e cilësuar këtë si një agjendë të përbashkët që përfshin ekzekutivin, gjyqësorin dhe Kuvendin.
Në fund, ai shprehu mirënjohje ndaj Bashkimit Evropian për mbështetjen, duke theksuar angazhimin për realizimin e hapave të radhës në këtë proces.