A pagoi Basha për t’u takuar me Trumpin

Prishtinë | 15 Qer 2017 | 09:19 | Nga

Kryetari i PD, Lulzim Basha ka bërë me dije përmes një statusi në Facebook se është takuar me presidentin amerikan Donald Trump.

“Takim i jashtëzakonshëm me Presidentin Donald Trump! Vizioni dhe kauza e tij janë frymëzim dhe inkurajim kolosal për lëvizjen tonë për një Republikë të qytetarëve, me ekonomi të fortë dhe të nesërme të sigurt për të gjithë shqiptarët”, ka deklaruar Basha.

Basha ka bërë me dije se, gjatë vizitës së zhvilluar në Shtetet e Bashkuara ka biseduar me përfaqësues të administratës Trump mbi politikat e tij.

“Sapo mbylla një vizitë dyditore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjatë Javës së Shtëpisë së Bardhë për Zhvillimin e Fuqisë Punëtore, ku po diskutohen iniciativat e administratës Trump mbi uljen e taksave, trajnimin profesional, stazhit të punës dhe financimin e studimeve”, ka thënë Basha.

Ai i ka shprehur “mirënjohje të pakufishme” presidentit Trump dhe SHBA për mbështetjen për Shqipërinë dhe shqiptarët.

Pak minuta më vonë, portali shqiptar “Tema”, zë kritik i zotit Basha, iu referua kanalit amerikan “FoxNews”, i cili shkruan se eventi në të cilin ka marrë pjesë kryetari i Partisë Demokratike ka qenë me pagesë dhe për një foto çmimi ka qenë 20 mijë dollarë.

Pavarësisht kësaj, kjo foto e Bashës me presidentin amerikan në kulm të fushatës elektorale do të jetë në qendër të aktivitetit politik të opozitës gjatë ditëve të mbetura deri në zgjedhjet e 25 qershorit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme