Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të Gjilanit, Zenun Pajaziti, ka thënë se partia e tij ka arritur t’i rikthejë votat e humbura në zgjedhjet e kaluara.
Ai ka thënë se PDK’së i janë dyfishuar votat në krahasim me zgjedhjet e 2013’s.
Pajaziti ka thënë se pret që të dalë i dyti në Gjilan, dhe të shkojë në balotazh.
Por, sipas një ‘exit poll’-i, të realizuar nga instituti “Gani Bobi”, kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar, Lutfi Haziri, dhe ai i Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi, kanë marrë më së shumti vota në zgjedhjet lokale, të mbajtura sot.
Gjilanasit, sipas këtij sondazhi të realizuar me qytetarë pas votimit, do të zgjedhin në rrethin e dytë mes Hazirit dhe Kurteshit për kryetar të Komunës.