Pajtimi i ndërsjellë do të jetë parakusht i integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE

Prishtinë | 23 Maj 2018 | 16:05 | Nga

Pajtimi nuk është pjesë e procesit negociator me Bashkimin Europian, por është parakusht për hyrjen e Ballkanit Perëndimor në BE. Kështu vlerësuan sot përfaqësuesit e Komisionit rajonal për verifikimin e fakteve mbi krimet e luftës (REKOM), raportojnë mediat serbe, transmeton Koha.net.

Natasha Kandiq deklaroi se liderët e të gjitha shteteve të ish-Jugosllavisë do të duhej që në Korrik, në Londër, në samitin për Ballkanin Perëndimor të obligohen që të mbështesin themelimin e REKOM-it

Përfaqësuesit e Serbisë, Maqedonisë, Malit të Zi dhe të Kosovës, si dhe anëtari i Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës dhanë premtime politike se janë të gatshëm të nisin procedurën për themelimin e REKOM-it, citohet të ketë thënë Natassha Kandiq.

Duke konstatuar se BE konsideron se ballafaqimi me të kaluarën “na përket neve”, Natasha Kandiq tha se në Bruksel mendojnë se “pajtimi është masë e pjekurisë politike të liderëve të vendeve pas Jugosllavisë”, transmeton Koha.net.

Në Be themelimin e REKOM-it e kanë përcaktuar si masë përparimi në procesin e pajtimit, diçka për të cilën janë të përkushtuar liderët e rajonit, shtoi ajo.

Ana Rudan tha se është ndërmarrë iniciativa që në kuadër të Samitit të Londrës të nënshkruhet deklarata politike që nënshkruesit e saj do t’i obligonte që në vitin 2020 të themelojnë REKOM-in.

Serbia, Maqedonia, Mali i Zi dhe Kosova do të duhej të nënshkruanin atë deklaratë, me kusht që asaj t’i bashkohen deri më 2019 Bosnja e Hercegovina, Kroacia dhe Sllovenia, deklaroi Ana Rudan.

Vesna Tersheliq tha se REKOM do të mund të krijonte mundësinë që dëshmitarët e mbijetuar të krimeve të tregojnë çfarë ka ndodhur në Kroaci, Bosnjë e Hercegovinë dhe në Kosovë, se “në çfarë rrethanash kanë pësuar dhe janë zhdukur më të afërmit e tyre”.

Porse, REKOM nuk ka mbështetje të mjaftueshme politike, ka vlerësuar Vesna Tersheliq, transmeton Koha.net.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme