Për rreth katër vjet mandat të Qeverisë Kurti, presidentja Osmani nuk e ka kthyer asnjë ligj në Kuvend, ndonëse disa syresh, pas dërgimit për interpretim në Gjykatën Kushtetuese nga ana e partive opozitare kanë rezultuar të mos jenë në përputhje me Kushtetutën.
Sot, ajo paska vendosur t’i kthejë në Kuvend dy ligje, por njëri prej tyre – ai për Këshillin e Sigurisë së Kosovës- prek drejtpërdrejt në kompetencat e kreut të shtetit në rastet kur vendi është në gjendje të jashtëzakonshme.
Aplikimi i vetos së saj në këtë kohë, më së tepërmi do të jetë sfidues për deputetët e partisë të cilën e ka themeluar e që janë pjesë e grupit parlamentar të LVV-së.
Pa votat e tyre, partia në pushtet, veç nëse gjen mbështetje nga opozita, përndryshe e ka të pamundur që ta përmbysë veton e presidentes. Duhen 61 vota për ta riaprovuar ligjin e kthyer nga Osmani në mënyrë që ai të konsiderohet i shpallur. Në të kundërtën, nëse Kuvendi nuk arrin ta përmbysë veton e saj, konsiderohet se nuk ka ligj.
Ditëve në vijim do të shohim se si do të pozicionohen “Guximtarët”: kah Albini apo kah Vjosa!?
Pak “dramë” në Kuvend para Krishtlindjeve. Edhe para zgjedhjeve!