Pakistani thotë se ka vrarë 11 militantë të Shtetit Islamik

Prishtinë | 31 Gus 2021 | 15:41 | Nga Ekonomia Online

Njëmbëdhjetë militantë të grupit terrorist Shteti Islamik (IS) janë vrarë pasi njësitet kundër terrorizmit të Pakistanit bastisën një vendstrehim të militantëve në provincën jugperëndimore të Baluçistanit.

Njoftimi u bë nga ana e policisë pakistaneze, raporton AP.

Informacionet për lokacionin ku gjendeshin militantët, ishin siguruar nga organet e inteligjencës. Në këtë rajon militantët e IS-it kishin vrarë kohët e fundit dy policë.

Policia tha se në këtë bastisje u konfiskuan rripa që përdoren për sulme vetëvrasëse, granata dore dhe pushkë.

Departamenti kundër terrorizmit nuk dha detaje për kombësinë e militantëve të vrarë.

Policia kundër terrorizmit është një degë e veçantë e policisë pakistaneze që lufton grupet militante.

Kueta është kryeqyteti i provincës Baluçistan ku grupi IS ka kryer disa sulme në vitet e fundit. Grupi terrorist IS ka degë rajonale si në Pakistan ashtu edhe në Afganistanin fqinj.

Baluçistani, që gjendet në kufi me Afganistanin dhe Iranin, është shtëpi e militantëve sektarë, të separatistëve dhe grupeve të huaja militante, përfshirë edhe talibanët afganë.

Të ngjashme