“Po gëzohem kur po lodhem” është përgjigja e shpejtë në pyetjen “A je lodh?”, ndaj regjisorit të njohur Fatmir Lama.
Ka marrë një espresso deri në gjysmë të filxhanit, dhe po pushonte në një cep të ëmbëltores emblematike të kryeqytetit “Elida”, në vlugun e punës së hatashme që po e bën me Kohavisionin për ciklin e dokumentarëve “Rrëfime për Kosovën”. Por thelbi i muhabetit krejt të rastësishëm nuk janë dokumentarët. Është në fakt dokumentimi i rëndësisë që ka për prishtinasit jo vetëm ëmbëltorja “Elida”, por i gjithë Pallati i Rinisë, që të dyja monumente të mbrojtura me ligj, shkruan sot “Koha Ditore”.
Shtatëdhjetetre-vjeçari Lama, që në ëmblëtore thotë se shkon shumë shpesh, më shumë për nostalgji, e ka të kthjellët kujtesën kur nisën diskutimet e para në qytet për ndërtimin e një godine të tillë. Thotë se tingëllonte si utopi.
Në anën tjetër, po utopi do t’i dukej edhe pronarit të “Elidës”, muhabeti i një grupi profesorësh e qytetarësh që po donin ta propozonin këtë objekt si të veçantë për listën e monumenteve të kulturës. Bislim Mustafi thotë se është vënë në kërkim të tyre, për t’i falënderuar veç e veç për iniciativën.
Pallati i Rinisë, që njihej para luftës si “Boro e Ramizi”, nuk u përfundua kurrë deri në fund. Për më keq pësoi një djegie shkatërruese për gjysmën e godinës, që s’ka mundur të riparohet ende. Objekti që u ndërtua me kontributin e vetë prishtinasve aktualisht është pronë e Agjencisë Kosovare të Privatizimit, e politika ditore thotë se po punon për ta kthyer në “pronë të qytetit”.
Objekti në perëndim të socializmit
Në detaje rreth ndërtimit dhe vlerave arkitektonike për Pallatin e Rinisë, flet profesori në Fakultetin e Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës, Xhelal Llonçari.
Siç thotë ai, Pallati është ndërtuar në periudhën përfundimtare të socializmit të ish-Jugosllavisë. E përurimi i tij u bë në vitin 1981. E përmend edhe faktin se objekti u ngrit me kontributin e të punësuarve të rajonit të Prishtinës, të cilëve iu nda nga paga 2 për qind e shumës..