Komuna e Prishtinës paguan të gjitha borxhet për Pallatin e Rinisë

Prishtinë | 30 Kor 2019 | 15:02 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka njoftuar se komuna që drejton ka paguar të gjitha borxhet e Pallatit të Rinisë që ka pasë për 15 vjet.

Ai tha se janë paguar edhe të gjitha vendimet gjyqësore si pasjoë e zjarrit që kishte dëmtuar objektin në vitin 2000.

“Për herë të parë në 15 vitet e fundit, Pallati i Rinisë është pa borxhe. Kemi paguar të gjitha vendimet gjyqësore si pasojë e zjarrit në vitin 2000. Për vite me radhë para marrjes në menaxhim, kamata e vendimeve është shtuar me që rast Pallati është rënduar edhe më shumë”, ka shkruar Ahmeti në Facebook.

“Me vendim të Komunës së Prishtinës tashmë borxhet janë paguar dhe gjendja është normalizuar. Me këtë rast ka përfunduar faza emergjente e vlerësimit të borxheve dhe pagesave. Kjo ka qenë faza e parë pas kthimit të Pallatit në Ndërmarrje Komunale”.

I pari i Prishtinës tha se komuna tashmë ka filluar fazën e dytë të përgatitjes së investimeve në pjesën e rinisë ku ka qenë ASK dhe ku është Salla e Kuqe, si dhe kanë filluar punët përgatitore për projektin e renovimit të sallës së djegur, apo Sallës së Madhe.

Po ashtu po planifikohet edhe renovimi i të gjitha sallave, zhveshtoreve dhe ambienteve të tjera në institucionin më të madh sportiv në vendin tonë.

Të ngjashme