Augustin Palokaj, korespodent nga Brukseli, ka thënë se Bashkimi Evropian ka dështuar në kuadër të dialogut mes Kosovës e Serbisë.
Sipas tij, duke parë që BE-ja nuk ka folur me një zë për këtë çështje dhe se në dialog u lejua prekja e temës së kufijve, tregon për rezultatet e dialogut mes dy shteteve.
Në Express Intervistën në KTV, Palokaj po ashtu ka thënë se liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës nuk mund të ndodhë sivjet, por shpresë mund të ketë për vitin e ardhshëm, e sipas tij, kjo shpresë varet te Gjermania.
“Çdo gjë rreth dialogut është sjell rreth taksës së Kosovës ndaj mallrave të Serbisë, me kërkesat e BE-së e SHBA-së që ato të hiqen dhe me insistimin e kryeministrit Haradinaj se nuk do të hiqen përderisa nuk përmbushet kushtet e përmendura nga ai. Për mendimin tim, ndoshta ky është vetëm një arsyetim për mungesën e përparimit në dialog sepse edhe po të mos ishin taksat, dialogu ishte në fazë të rrezikshme ose fazë në të cilën s’mund të vazhdonte siç kishin paramenduar akterët kryesorë. Do të mbahet mend Përfaqësuesja e Lartë Federica Mogherini për gabimin që ka lejuar që të flitet për mundësinë e ndryshimit të kufijve. Ka njerëz në Bruksel që thonë se nëse vendosja e taksës ka pasur rezultat pengimin e marrëveshjes së dëmshme dhe të rrezikshme, ndoshta është efekt anësor i duhur, por s’ka pasur lëvizje fare në dialog”, ka thënë ai.
Sipas tij, Mogherini me punën e saj solli dëshpërim edhe për ata që e kanë sjellë në atë post. Ai ka thënë se BE-ja, gjatë mandatit të saj, nuk ka folur me një zë për çështjen e Kosovës.
“E dimë se dialogu nuk sjelli sukses, mund të marrim parasysh se sa e suksesshme ishte BE-ja në politikën e jashtme në mandatin e saj. Sa i përket Kosovës, Mogherini ka thënë gjëra që s’i takonin. Kishte premtuar liberalizim vizash nëse përmbushte kushti i demarkacionit e s’kishte fuqi për ta zbatuar. Ajo dhe stafi i saj kishin shprehur gatishmëri të bisedohet për idenë e ndryshimit të kufijve e kjo shkaktoi ndasi mes miqve të Kosovës, brenda Kosovës e solli dialogun në një fazë ku hapej mundësia e ndryshimit të kufijve e kur kishte nisur dialogu dihej që s’ishte për statusin e Kosovës e për kufijtë. Por në fund të mandatit Mogherinit me shpresat se do të ishte sukses i menjëhershëm kishte pranuar të diskutohej duke shkelur gjithë punën e deriatëhershme të BE-së”, ka shtuar Palokaj.
Sipas tij, Serbia ka arritur të çojë diskutimet në dialog në pikën që ajo ka dashur. Ai ka thënë se shtetet që po e tërheqin njohjen ndaj Kosovës, po e bëjnë këtë me arsyetimin “se nuk e kemi ditur se në dialog do të diskutohet për statusin e Kosovës”.
Palokaj ka thënë se qëndrimi neutral i BE-së ndaj statusit të Kosovës është qëndrim negativ. Sipas tij, qëndrimi neutral i BE-së ka ndikuar negativisht edhe në prurjen e njohjeve të reja.
“S’them se ishin të njëanshëm, por qëndrimi neutral ndaj statusit është qëndrim negativ. Sepse nëse thoni se jemi neutral do të thotë se Kosova s’ka status. Tash Josep Borrell që vjen nga Spanja që s’e njeh Kosovën, i pyetur se a është problem që nuk e njeh Spanja thotë ‘pse është problem sepse po të isha nga një vend që njeh Kosovën serbët do të kishin mendim negativ’, por kjo s’është e barabartë sepse shtetet që e kanë njohur Kosovën s’janë kundër Serbisë e ata që e njohin Serbinë ka që janë kundër Kosovës. Kam dëgjuar diplomatë evropianë që kanë shërbyer në Afrikë që më kanë thënë se kanë pasur kontakte me diplomatë atje dhe kanë thënë se Franca e Britania kërkojnë ta njohin Kosovën e Spanja jo, e ‘ne si BE jemi detyruar të themi se jemi neutralë’. Kjo ka shtyrë të mos njohin Kosovën. Ka ndikuar negativisht”, ka deklaruar tutje.
Palokaj ka thënë se është skeptik edhe për rolin e Përfaqësuesit të ri të Lartë të BE-së, Josep Borrell, për shkak të qëndrimit neutral ndaj Kosovës.
“Qëndrimi neutral është për t’ua bërë qejfin shteteve që s’e kanë njohur Kosovën. Në BE s’bëhet asgjë për të përfillur vullnetin e atyre që e kanë njohur Kosovën, por sa herë bëhet për Kosovën duhet menduar a është e pranueshme për shtetet që s’e kanë njohur Kosovën. Kjo s’çon në zgjidhje. Kushdo që të jetë në rolin e ndërmjetësuesit, duhet të ketë për detyrë të bindë Serbinë ta njohë realitetin. S’di a mundet dikush ta bëjë këtë nëse vetë mendon se kjo është gabim”, ka thënë Palokaj. “Ai paralajmëroi se do ta vizitojë Kosovën, por dyshoj se do të ketë angazhim të madh për ta çuar procesin drejt njohjes”.
Palokaj ka thënë se diskutimi për kufijtë ka frikësuar shumë shtete mike të Kosovës, jo vetëm për shkak të vetë Kosovës, por për shkak se ekziston rreziku që të hapen shumë karta në Ballkan.
Ai ka thënë se interesimi i Gjermanisë e Francës që të kenë rol më të madh në dialog, mund të çojë në arritjen e marrëveshjes.
Për liberalizimin e vizave, Palokaj ka thënë se sivjet s’është fare në rend dite, edhe pse Kosova ka përmbushur kriteret. Sipas tij, BE-ja duhet të zbulojë diçka për të thënë se Kosova nuk e meriton liberalizimin. Ai ka thënë se shpresa e Kosovës varet nga Gjermania, që “nëse shtyn pikën në rend dite gjatë presidencës kroate, dhe vetë merr presidencën në pjesën e dytë të vitit 2020, si dhe bind Francën e Holandën, atëherë mund të ndodhë liberalizimi”.