Erërat rrëzojnë kulmin e ndërtesës së Komunës në Arbëri, një vajzë e lënduar

Prishtinë | 18 Jan 2024 | 13:55 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Një person është lënduar si pasojë e rënies së kulmit nga objekti i ri i Komunës së Prishtinës në Arbëri.

Policia e Kosovës ka konfirmuar se viktima ka marrë lëndime si pasojë e goditjes nga materiale që janë shkëputur nga çatia e objektit.

Gruaja e lënduar është dërguar për trajtim në QKUK.

“Rreth orës 13:00, është raportuar se në rrugën “Nora e Hotit” në Prishtinë, një person ka marrë lëndime si pasojë e goditjes nga materiale që janë shkëputur nga çatia e një objekti”.

“Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe mbështetur në informacionet e para është raportuar për një person të lënduar, femër, e cila është dërguar në QKUK për trajtimin e nevojshëm mjekësor”.

“Aktualisht policia ka nisur punën për zbardhjen e plotë të të gjitha rrethanave që karakterizojnë ngjarjen”, thuhet në njoftimin e PK-së.

Drejtori i Emergjencës, Naser Syla, ka konfirmuar për mediet se një vajzë rreth të 20-tave është sjellë me lëndime.

“Sapo është sjellë në Emergjencë, është duke u trajtuar nuk dihet ende a është jashtë rrezikut për jetë mosha e saj është rreth të 20-tave”, ka thënë shkurtimisht Syla.

Burime të tjera nga Klinika Emergjente kanë thënë se e reja ka pësuar lëndime në kokë dhe se është në gjendje stabile. 

Të ngjashme