Për të dytin vit me radhë, sot në Gjakovë është mbajtur Panairi i Punës, i organizuar nga Komuna e Gjakovës, ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe organizata gjermane GIZ.
Në këtë edicion të Panairit të Punës, prezentë kanë qenë 40 kompani dhe institucione të tjera jo vetëm të Gjakovës, por edhe të vendeve të tjera të Kosovës, të cilat së bashku kanë hapur rreth 500 vende pune apo punë praktike me mundësi vazhdimi, transmeton Koha.net.
Hapjen e Panairit e ka bërë kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari – Lila, e cila mes tjerash ka thënë se aktivitete të tilla janë mekanizmat më të mirë dhe më praktikë që ofrojnë kompanitë dhe punofruesit me të rinjtë dhe me punëkërkuesit potencialë. Ajo ka shtuar se ky panair është një mundësi e mirë për të gjithë ata që dëshirojnë ta gjejnë një vend pune, prandaj edhe ka apeluar, sidomos tek të rinjtë, që ta vizitojnë këtë panair dhe të shikojnë të gjitha mundësitë që ofrojnë kompanitë pjesëmarrëse.
Duke u nisur edhe nga rezultatet e vitit të kaluar, ku ishin punësuar rreth 20 për qind e aplikuesve, por edhe nga trendi i sivjetmë, kryetarja Kusari – Lila ka potencuar se tregu ofron vende të mjaftueshme të punës, por problemi kryesor mbetet tek mungesa e kualifikimeve të duhura për vende të caktuara të punës.
Sipas kryetares Kusari – Lila, vendet e punës në sektorin e prodhimit nuk po gjejnë interesim të duhur tek të rinjtë, prandaj ajo ka apeluar tek ata që kërkojnë punë që të mos shikojnë vetëm punë administrative, por të shikojnë edhe mundësitë e aftësimit të tyre në sektorin e prodhimtarisë, pasi janë këta sektorë që e kanë kërkesën dhe mundësinë më të madhe për vende pune.