Pandemia COVID-19, turmat në plazhet evropiane alarmojnë zyrtarët

Prishtinë | 22 Maj 2020 | 12:16 | Nga Ekonomia Online

Rritja e numrit të vizitorëve në plazhet e Europës Veriore pas lehtësimit të masave kufizuese dhe temperaturave të larta, ka alarmuar zyrtarët dhe ekspertët.

Disa qytete në veriperëndim të Francës mbyllën plazhet e tyre për shkak të mosrespektimit të rregullave dhe distancimit social. Shumë bashki të Vendeve të Ulëta u bënë thirrje turistëve gjermanë që të mos i vizitojnë.

Ndërsa në Angli, këshilli i qytetit Southend tha se do të ndërmarrë masa pasi plazhistët u dyndën atje. Të konfirmuarit me Covid-19 në të gjithë botën janë më shumë se 5 milionë, por numri i rasteve të reja ka ruajtur një trend në rënie në Europë.

Të njëjtin ritëm pozitiv ka pasur dhe bilanci i viktimave. Mbretëria e Bashkuar kryeson listën në Kontinentin e Vjetër sa i përket humbjes së jetëve njerëzore nga koronavirusi i ri, ndërsa pasojnë Italia, Franca, Spanja dhe Belgjika.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka paralajmëruar se duhet ende shumë kohë që kjo pandemi të largohet dhe u ka bërë thirrje qeverive e qytetarëve që të adoptojnë sjellje që minimizojnë transmetimin e Covid-19.

Të ngjashme