Pandemia s’e pengoi Policinë në kryerjen e detyrave, veprat penale shënuan rënie

Prishtinë | 18 Kor 2020 | 08:00 | Nga Kastriot Kokollari Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Që nga koha kur në Kosovë janë shënuar rastet e para me Coronavirus dhe vendi hyri në izolim, ka pasur rënie të numrit të veprave penale.

Megjithatë, krahas kësaj, në vend është shënuar rritje e rasteve të dhunës në familje. Kështu ka deklaruar drejtori i Operacioneve në Policinë e Kosovës, Afrim Ahmeti, në një intervistë për Ekonomia Online.

“Mund të them që të gjitha veprat penale kanë shënuar një rënie, përveç të rasteve të dhunës në familje që fatkeqësisht kemi pasur një rritje gjatë kohës së pandemisë”, tha ai.

Pavarësisht kësaj gjendjeje të shkaktuar nga pandemia dhe rastet e dhunës në familje, Ahmeti bën të ditur se as rastet e tjera nuk janë përjashtuar nga ana e Policisë së Kosovës e as nuk kanë ngecur.

Përkundrazi, thotë ai, Policia ka kryer të gjitha detyrat në raport me ankesat e qytetarëve.

“Të gjitha rastet që i trajton Policia asnjë nuk do të ngec, përjashtimisht rastet që institucionet tjera nuk punojnë, do të thotë që nuk ka nevojë ato shërbime t’i kryej edhe Policia. Përndryshe ne jemi në shërbim të qytetarëve gjatë 24 orëve sikur çdo ditë tjetër”.

Deri më tash, Coronavirusi nuk ka lënë pa prekur edhe zyrtarë policorë.

“Inspektimet e policëve nëpër rrugë do të vazhdojnë deri sa të normalizohet situata. Ka edhe policë të infektuar dhe numri i tyre është 72, fatmirësisht gjendja e tyre është stabile përveç 4 raste që i kemi të shtrirë në spital, edhe gjendja e tyre është stabile ndërsa të tjerët vazhdojnë të marrin tretmanë mjekësore nëpër shtëpitë e tyre”.

Që nga dalja e rasteve të para me Coronavirus në Kosovë, numri i të infektuarve ka shkuar mbi 5 mijë raste, ndërsa janë mbi 2 mijë të shëruar.

Qeveria e Kosovës ka vendosur masa të reja për parandalimin e virusit. Është paralajmëruar edhe dënimi i qytetarëve të cilët nuk mbajnë maska në vende publike.

Të ngjashme