Panucci publikon listën, Xhaka nuk ftohet sërish

Tiranë | 25 Gus 2017 | 14:38 | Nga

Trajneri i kombëtares së Shqipërisë, Christian Panucci, ka publikuar sot listën e lojtarëve kuqezinj, që do të ketë të grumbulluar për dy kualifikueset e radhës, me Lihtenshtejnin në “Elbasan Arena” dhe me Maqedoninë në Strumicë.

Sikurse është përfolur ditët e fundit, jashtë ka mbetur Taulant Xhaka, si në kohët e fundit me De Biazin, dhe Ergys Kaçe. Tri janë prurjet e reja, në mbrojtje dhe sulm. Fjala është për Hysen Memolla, që luan në Kroaci me Hajdukun e Splitit, Ivan Balliu, pjesë e Metz në Francë dhe Valon Ahmedi, sulmues te Maribori. Në listë mungon Bekim Balaj, që është i dëmtuar, si dhe Orges Shehi, që në moshën 40-vjeçare po shkëlqen me Skënderbeun në Ligën e Europës.

Dy ndeshjet e radhës zyrtare eliminatore do të luhen: më 2 shtator ndaj Lihtenshtejnit në Elbasan dhe më 5 shtator ndaj Maqedonisë, në Strumica, respektivisht. Trajneri Panucci, që do të debutojë në stolin kuqezi, gjatë gjithë kësaj periudhe ka vëzhguar një pjesë të mirë të lojtarëve në takimet zyrtare, apo miqësore, që ata kanë luajtur me skuadrat e tyre.

Lista zyrtare e ekipit kombëtar është bërë publike sot, në një kohë që për emrat, si dhe për çdo interesim tjetër rreth kuqezinjve, Panucci do të dalë përpara mediave ditën e hënë, në orën 11:00, në selinë e FSHF-së. Grumbullimi i ekipit kombëtar do të nisë ditën e hënë, në hotel “Tirana”, teksa seanca e parë stërvitore do të zhvillohet në stadiumin “Selman Stërmasi”, në orën 18:00.

Ndërkaq, sipas programit mediatik për ekipin kombëtar A, të bërë publik prej ditësh në faqen zyrtare të FSHF-së, tri ditë me radhë, të hënën, të martën dhe të mërkurën, në orën 13:30, do të jenë përpara gazetarëve nga dy futbollistë kuqezinj, ndërsa të enjten, një ditë përpara ndeshjes, në stadiumin “Elbasan Arena” do të zhvillohet si përherë konferenca për shtyp me trajnerin dhe kapitenin.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme