Edhe pse nuk pa pasur një datë formale, javën e kaluar ishte pritur që të publikohej raporti i përfaqësuesit të lartë të BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, rreth përmbushjes së kushteve nga ana e Kosovës për heqjen e masave të BE-së ndaj saj.
Madje zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, tha të enjten e kaluar se në raportin e shefit të Bashkimit Evropian për politikë të jashtme, Josep Borrell, për hapat që ka bërë Kosova në përmbushjen e detyrimeve për heqjen e masave të BE-së, “do të rekomandohet heqja e masave” ndëshkuese për Kosovën.
Por, Bashkimi Evropian ka thënë të hënën se afati i dorëzimit të raportit të Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Josep Borrell, rreth masave të vendosura ndaj Kosovës, dhe përmbajtja e këtij raporti, janë çështje ndër-institucionale të BE-së, dhe rreth tyre nuk mund të spekulojnë akterët jashtë bllokut evropian.
Zëdhënësi i BE-së për Çështje të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano, tha se raporti ka të bëjë me dinamikat e institucioneve të BE-së, dhe ka thënë se askush jashtë BE-së nuk duhet të spekulojë rreth përmbajtjes dhe afateve.
“Kjo është një çështje institucionale mes Përfaqësuesit të Lartë dhe vendeve anëtare. Vendet anëtare janë ato që kanë kërkuar një raport dhe, natyrisht, është Përfaqësuesi i Lartë ai që do ta dërgojë raportin tek vendet anëtare. Ato do të jenë të parat që do të dinë se kur do të ndodhë dhe çfarë përmban raporti, dhe kjo ende nuk ka ndodhur”, ka theksuar Stano.
Sipas tij, raporti nga Borrell do të dërgohet fillimisht tek vendet anëtare, të cilat do ta shohin dhe diskutojnë përmbajtjen e tij, para se të marrin vendimet e nevojshme.
“Kjo është diçka institucionale mes Përfaqësuesit të Lartë dhe vendeve anëtare. Kështu që nuk na duhet dikush nga jashtë që të spekulojë për përmbajtjen dhe oraret. Do të bëhet në kohën e përshtatshëm për Përfaqësuesin e Lartë dhe vendet anëtare, që do të jenë të parat që do ta shohin dhe diskutojnë përmbajtjen, para se të marrin vendimet e nevojshme. Dhe kur kjo do të ndodhë, atëherë do t’i kumtojmë rezultatet. Nuk ka hapësirë dhe arsye për spekulime publike nga akterë të ndryshëm”, ka ka deklaruar Stano.
Stano ka bërë thirrje sërish që të ndërmerren të gjithë hapat për uljen e tensioneve në pjesën veriore të Kosovës dhe që të gjitha palët të përmbahen nga veprimet nxitëse dhe të njëanshme.
“Natyrisht se ne jemi të shqetësuar për situatën në veri [të Kosovës], sepse kemi parë në të kaluarën hapa të njëanshëm, të pakoordinuar, që kanë çuar deri te përshkallëzimi i ri. Dhe kjo lidhet edhe me çështjen e masave. Përshkallëzimi i vazhdueshëm rezultoi me masat e BE-së”, ka thënë Stano.
Ai ka përmendur që edhe Qeveria e Kosovës, por edhe pala serbe, kanë obligim që të bëjnë gjithçka që munden për të shmangur ndonjë përshkallëzim eventual.
Krerët e shtetit kanë kërkuar në vazhdimësi muajin e fundit heqjen e masave ndëshkuese të BE-së. Kryeministri Albin Kurti dhe zyrtarë të tjerë të Kosovës në vazhdimësi kanë thënë thënë se Kosova i ka plotësuar kushtet për heqjen e masave ndëshkuese të BE-së.
Kosova kërkoi zëshëm heqjen e masave pas organizimit të votimit për largimin e kryetarëve në veri, që ishte një nga kërkesat e BE-së.
Nisma për largimin e kryetarëve shqiptarë të komunave në veri të Kosovës dështoi pasi nuk u arrit numri i mjaftueshëm i votave pas bojkotimit nga serbët. Vetëm disa qindra qytetarë serbë, nga rreth 45 mijë me të drejtë vote, morën pjesë në referendumin në katër komunat në veri të Kosovës që për synim kishte largimin e kryetarëve shqiptarë.
Nga Bashkimi Evropian vlerësuan se rezultati i votimit në veri nuk i kontribuon shtensionimit të situatës.
Nga BE-ja kishin deklaruar se raporti i Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Kosovën është drejt finalizimit dhe se heqja apo jo e masave do të varet nga ky raport dhe nga vendet anëtare.
Komisioni Evropian kishte vendosur masa ndëshkuese ndaj Kosovës një vit më parë për shkak të përshkallëzimit të situatës së sigurisë në veri të shtetit.
Masat e vendosura nga BE-ja ndaj Kosovës përfshinin: suspendimin e përkohshëm të grupeve punuese për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, mosftesën e Kosovës në takime të nivelit të lartë dhe suspendimn e vizitave bilaterale.
Gjithashtu, u suspendua edhe programimi i fondeve për Kosovën, të cilat ishin paraparë të dorëzoheshin përmes Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor dhe IPA 2024 (Intrumentet e Para-Anëtarësimit).