Gjykata Themelore Prishtinë, Dega në Podujevë – Departamenti i Përgjithshëm Penal, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, duke ia caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh të dyshuarës GJ.L., e dyshuar se ka kryer veprën penale “Vrasja e foshnjës gjatë lindjes”.
Lajmi u bë i ditur përmes një komunikate për medie nga kjo Gjykatë, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Gjyqtari i procedurës paraprake ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehures GJ.L dhe të njëjtës i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji. Gjykata vlerësoj se caktimin e masës së paraburgimit e arsyeton fakti se nëse e pandehura gjendet në liri, ekzistojnë rrethana që tregojnë rrezikun se do të pengoj rrjedhën e procedurës penale, duke ndikuar tek dëshmitarët në këtë procedurë penale”, thuhet në njoftim.
Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.