BE paralajmëron për prodhime të rrezikshme

Prishtinë | 18 Mar 2018 | 13:42 | Nga

Për të mbrojtur konsumatorët Bashkimi Evropian (BE) ka krijuar një sistem paralajmërimi të shpejtë. Ky sistem po shfrytëzohet. Vetëm vitin e kaluar alarm paralajmërues për prodhime të rrezikshme u dha 2,200 herë.

Që prej vitit 2004 autoritetet e vendeve të ndryshme evropiane kanë vënë alarmin dhe paralajmërojnë njëra-tjetrin kur diku në BE dhe në tri vende të tjera që marrin pjesë, zbulohet një produkt i rrezikshëm. Komisioni i BE bëri të ditur se në vitin 2017 ka pasur rreth 4.000 aksione për kthim produktesh, ndalim shitjeje apo ndalim importimi. Njëlloj si edhe një vit më parë.

Fëmijët janë ata që rrezikohen më shumë, sepse vitin e kaluar nga BE janë nxjerrë nga qarkullimi më shumë lodra se çdo produkt tjetër. Gati një në tre njoftime për produkte të rrezikshme me gati 29 për qind ka qenë lodra për fëmijë, pasuar nga automjetet me 20 për qind dhe veshjet me 12 për qind.

Mes lodrave të njoftuara 10 përqind janë të ashtuquajturat Fidget Spinner. Ato kanë pasur kimikale të rrezikshme ose bateri, që mund të gëlltiten prej fëmijëve.

Jo gjithnjë rastet përfundojnë pa dëme. Ndër rreziqet e paralajmëruara vitin e kaluar rreziku i lëndimit ka qenë më i larti, me 28 përqind. Në vend të dytë ndodheshin rreziqet kimike me 22 për qind, ndjekur nga rreziku i mbytjes gjatë gëlltitjes.

Më shumë se gjysma e produkteve të rrezikshme kanë ardhur vitin e kaluar nga Kina. Edhe një vit më parë prodhimet ‘Made in China’ kanë qenë në krye të listës

“Në Gjermani zbulohet dhe lajmërohet pjesa më e madhe e produkteve të rrezikshme – pikërisht rreth 350. Kjo ka të bëjë me madhësinë e tregut, volumin e importeve dhe eksperiencën e kontrollorëve”, thotë Komisioni i BE, shkruan DW.

Problemi më i madh është se konsumatorët blejnë gjithnjë e më shpesh direkt online në vendet e treta. Në rastin e blerjeve të tilla është e vështirë të sigurosh që këto produkte t’u përgjigjen standardeve të BE.

Ndërkohë BE është duke zhvilluar bisedime me tregtarët që shesin prodhime online si Amazon, Ebay, kompaninë kineze Alibaba ose atë gjermane Otto-Gruppe.

Ata duhet të japin vetë të dhëna pavarësisht nga kërkesat e ligjit. Për shembull kompanitë mund të shohin cilat produkte janë afishuar si të rrezikshme në platformën e BE dhe të hyjnë në kontakt me kompanitë që i ofrojnë ato.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme