Parametrat e rinj rregullativë për periudhën 2018-2022, të miratuar nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë të hënën, nuk do të ndikojnë në tarifat e energjisë elektrike për vitin 2018.
Kështu thuhet në një sqarim të ZRRE-së dërguar mediave, në të cilin hidhen poshtë disa prej raportimeve dhe pretendimeve të ditëve të fundit të bëra nga disa media dhe organizata të shoqërisë civile, shkruan sot “Koha Ditore”.
Sipas ZRRE-së, “disa organizata të shoqërisë civile dhe individë të tjerë kanë bërë reagime, vlerësime dhe kualifikime nga më të ndryshmet, të cilat janë në kundërshtim me realitetin për sa i përket reflektimit të këtyre parametrave në rritjen e çmimit të energjisë elektrike”.
“Për ZRRE-në disa nga këto vlerësime dhe reagime janë joprofesionale dhe mund të krijojnë opinion joreal tek konsumatorët. Prandaj si të tilla për ZRRE-në janë të papranueshme, cenojnë integritetin dhe profesionalizmin e ZRRE-së dhe për më tepër dezinformojnë opinionin”, thuhet në sqarimin e Rregullatorit të Energjisë…