Është paraqitur rasti i parë për këtë vit me ethe hemorragjike Krime Kongo në Kosovë.
Këtë e ka konfirmuar për RTK-në infektologu i Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK-së), Salih Ahmeti, i cili tha se pacienti i diagnostikuar, është nga Gjilani dhe aktualisht është jashtë rrezikut për jetë.
Kjo është hera e parë që ethet hemorragjike Krime Kongo në Kosovë, lajmërohen në një zonë larg komunës së Malishevës. Në Kosovë që nga viti 2013-të nuk ka pasur vdekje si pasojë e etheve hemorragjike.
Profesori Ahmeti këto informacione i ka dhënë gjatë një ligjërate të organizuar për stafin e QKUK-së dhe studentë të mjekësisë, ku i pranishëm ishte një nga profesorët më të njohur për kërkime shkencore në fushën e infektologjisë, Mike Bray nga Uashingtoni. Për stafin e QKUK-së shkëmbime të tilla përvojash janë të mirëseardhura.
Ndryshe, gjatë vitit që lamë nuk ka është shënuar asnjë rast i vdekjeve nga ethet hemorragjike, Krime Kongo për dallim nga vitet paraprake që krimet Kongo kanë marrë jetë njerëzish. Në vitin 2017 kanë qenë mbi 1 mijë qytetarë në gjithë Kosovën, që kanë kërkuar ndihmë mjekësore nga pickimi i rriqrave.
Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, nëpërmjet Ministrisë së Shëndetësisë, bashkë me grupin ndërministror, ku hyn edhe Ministria e Bujqësisë, Agjencia e Veterinës dhe Ushqimit, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Ministria e Mjedisit, ka disa vite që po zbatojnë planin operacional për parandalimin e sëmundjes së etheve hemorragjike.
Nga ethet hemorragjike, vetëm gjatë vitit 2013, kanë vdekur 11 persona, ndërkohë që shifrat tregojnë se të pickuar nga rriqrat ishin 5,200 persona.
Zonat e identifikuara endemike me rriqra janë Malisheva, Rahoveci, Suhareka dhe Klina.
Ethet hemorragjike Krime- Kongo janë sëmundje virale dhe të rënda me shkallë të lartë të fatalitetit prej 30 deri në 50% që transmetohen kryesisht përmes pickimit të rriqrave apo edhe kontaktit me gjakun dhe lëngjet trupore të pacientëve me këto ethe.