Një nga pretendentet për titull të botës, Franca, ka arritur të nxjerrë në fund një barazim 1:1 kundër ShBA-së në ndeshjen e fundit të saj miqësore para Kupës së Botës në Rusi, ndërsa favoritja tjetër Spanja ka shënuar një gol të vonshëm për të shënuar fitore 1:0 në miqësore ndaj Tunizisë.
Të dy ndeshjet u zhvilluan të shtunën mbrëma.
Po të shtunën, përfaqësueset e tjera pjesëmarrëse të Kupës së Botës, Serbia, Danimarka, Maroku dhe Rusia shënuan fitore, derisa Suedia luajti pa gola me Perunë, shkruan Reuters, transmeton “Koha Ditore”.
Seleksionuesi i Francës, Didier Deschamps, u përcaktua për një skuadër të fortë derisa kërkonte të gjente edhe përgjigjet e fundit para udhëtimit në Rusi. Mirëpo Julian Green shfrytëzoi një avantazh të krijuar pas rrëshqitjes së Djibril Sidibes për të realizuar për epërsinë e SHBA-së pak para fundit të pjesës së parë.
SHBA-ja, që nuk është kualifikuar në Kupën e Botës, dukej se do të mbante avantazhin, por Kylian Mbappe shpëtoi Francën nga turpërimi 12 minuta pa mbaruar ndeshja.
“Është gjithmonë më mirë kur fiton, por është ndeshje për përgatitje”, ka thënë Deschamps.
“Ne kishim telashe në 20 minutat e para të pjesës së dytë, por në fund e morëm lojën në dorë. Unë kam aktivizuar sa më shumë lojtarë që kam mundur në këto tri ndeshje përgatitore dhe kjo të mëson shumë. Shpresoj që të gjithë të jenë fizikisht të gatshëm dhe të kem telashe në zgjedhje për ndeshjen e parë”.