Parlamenti i Ukrainës hedh poshtë thirrjen për dorëheqjen e kryeministrit

Prishtinë | 31 Maj 2019 | 12:11 | Nga Ekonomia Online

Parlamenti i Ukrainës hodhi poshtë thirrjen për dorëheqje të Kryeministrit Volodimir Hroysman që erdhi si pasojë e kërkesës së Presidentit Volodimir Zelenskiy më 20 maj, menjëherë pas marrjes së detyrës.

Të enjten 97 ligjvënës votuan pro largimit të zotit Hroysman, një shifër kjo larg numrit të nevojshëm të votave prej të paktën 226, për të pranuar dorëheqjen e kryeministrit, bën të ditur Zëri i Amerikës.

Votimi erdhi në të njëjtën ditë kur zyra e presidentit njoftoi se ai i kishte kërkuar zyrtarisht parlamentit që të shkarkonte ministrin e Jashtëm Pavlo Klimkin, atë të Mbrojtjes Stepan Poltorak si dhe shefin e Shërbimit të Sigurisë Vasyl Hrytsak.

Zyra e presidentit njoftoi gjithashtu se ishte në shqyrtim një masë për të shkarkuar Prokurorin e Përgjithshëm Yuriy Lutsenko.

Një ditë pas inaugurimit të tij, presidenti Zelenskiy lëshoi një dekret për shpërndarje të parlamentit dhe bëri thirrje për zgjedhje të parakohshme në korrik. Ai propozoi gjithashtu ndryshime në procesin zgjedhor.

Por parlamenti në një seancë të jashtëzakonshme më 22 maj votoi kundër diskutimit të amendamenteve të propozuara nga presidenti Zelenskiy.

Votat kundër propozimeve të tij nxjerrin në pah një ngërç në marrëdhëniet mes ligjvënësve dhe presidentit, një rishtar politik, i cili nuk gëzon mbështetjen formale të parlamentit aktual.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme