Parlamenti Studentor i ndarë në dysh – Marshin e quajnë politike, e organizatorët e dirigjuar nga VV-ja

Prishtinë | 17 Shk 2023 | 08:16 | Nga Artiona Çitaku Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Arbër Gecaj nga Unioni Demokratik Studentor e ka quajtur politike marshin kundër Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Gecaj ka thënë se marshi ka qenë i dirigjuar nga politika, dhe se organizatorët e saj janë pjesë aktive e partisë në pushtet, raporton Ekonomia Online.

Për Ekonomia Online Gecaj ka thënë se forma e mbajtjes së atij marshi ka qenë e gabuar. Ai ka thënë se në atë marsh nuk kishte flamuj shtetëror.

“Ne si organizata më e madhe studentore e dalë nga zgjedhjet e fundit studentore, kemi marrë një ftesë nga Parlamenti Studentor përmes një e-maili, ku jemi njoftuar dhe jemi ftuar që të jemi pjesë e këtij marshi, ne fillimisht e kemi diskutu edhe e kemi analizuar për shkak se është një çështje shumë e ndjeshme, kemi vendosë që të mos marrim pjesë, mirëpo këtë as nuk e kemi konfirmuar e as nuk e kemi mohuar, thjesht kemi ndejtë njëfarë forme neutral deri sa e kemi parë se si ka rrjedhur dhe si ka përfunduar kjo protestë për shkak se çështja thashë është shumë delikate dhe shumë e ndjeshme, sido që të ishim deklaruar kishte mund të tingëllojë sikur jemi pro dikujt ose kundër dikujt”, ka thënë Gecaj.

Ai shtoi se pritshmëritë e tyre që kjo protestë të ishte politike kanë bërë që pas saj të kuptohet saktë se kush ka qenë prapa marshit.

“Mirëpo mbrëmë pasi përfundoi marshi dhe pamë shumë gjëra që nuk kanë shkuar në rregull edhe kanë dalë pritshmëritë tona që kanë qenë, pra një protestë totalisht e dirigjuar nga politika, e iniciuar nga politika dhe me pjesëmarrës të njerëzve të politikës, por edhe formati dhe mënyra se si është organizuar, për shembull pa flamuj shtetëror, vetëm me ata kombëtar ka qenë njëfarë mesazhi dhe njëfarë qëllimi që nuk e di pse, ku kanë dashtë të dalin me këtë mesazh dhe kjo ka qenë pra arsyeja e mospjesëmarrjes tonë në këtë protestë”, tha Gecaj për EO.

Ai tha se njëra nga organizata në koalicion (Studim Kritikë dhe Veprim- SKV) jo vetëm që është publikisht e afërt me LVV-në por është pjesë e kësaj të fundit.

“Nuk është thjesht aludim, ai është tashmë edhe e konfirmuar për shkak se organizata e cila është pjesë e Parlamentit Studentor njëra nga to është edhe publikisht dhe jo vetëm e afërt, por është pjesë e partisë në pushtet por edhe mënyra, formati dhe organizimi kanë qenë po në atë formë dhe për këtë arsye ne kemi menduar dhe kemi vepruar në këtë mënyrë që të mos marrim njëfarë forme anë në politikë”, tha Gecaj për EO.

Të ngjashme