Partia kroate largohet nga EVP për shkak të Orbanit

Prishtinë | 26 Shk 2019 | 08:48 | Nga Ekonomia Online

Kritikat e partive popullore europiane (EVP) ndaj kryeministrit hungarez Orban po bëhen gjithnjë e më të ashpra. Angela Merkel është distancuar nga Orbani. Partia Popullore Kroate (HSS) shkon edhe më larg.

Partia tradicionale kroate, Partia Fshatare (HSS) ka kërkuar të largohet nga Partia Popullore Europiane (EVP) për shkak të Viktor Orbanit. Argumentimi zyrtar është pak rreshta, e megjithatë ai ka shkaktuar dallgë të mëdha në Europë.

“Kur ne u bëmë pjesë e partive popullore europiane EVP, kishim një bindje. Por me kalimin e kohës grupimi ka ndryshuar,” thuhet në deklaratën që HSS lëshoi të dielën në mbrëmje (24.02) mbas takimit të kryesisë të zgjeruar të partisë.

Orban pati nisur një javë më parë në Hungari një aksion me afishe, ku tregohet presidenti i Komisionit të BE, Jean-Claude Juncker si nxitës i migracionit ilegal. Afishja, që tregon Junckerin dhe miliarderin amerikan George Soros duke zbardhur dhëmbët, pati nxitur indinjatë në EVP dhe zërat për të nxjerrë jashtë partinë nacionaliste të djathtë hungareze Fidesz, po bëhen gjithnjë e më të lartë.

Nuk ka mirëkuptim për Merkelin dhe Söderin

Kancelarja Angela Merkel (CDU) dhe kryetari i CSU, Markus Söder u distancuan nga Orbani dhe fraksioni i Unionit në parlamentin gjerman vuri në pikëpyetje anëtarësinë e Fidesz-it në familjen e partive europiane, por Merkeli nuk donte të shkohej deri aty. Ajo u vendos në mënyrë demonstrative në mbrojtje të Junckerit. Në partitë popullore europiane bëjnë pjesë edhe CDU dhe CSU. Kryetari i partive popullore, EVP, Manfred Weber (CSU) dëshiron të bëhet pas zgjedhjeve europiane të majit, pasardhës i Junckerit, duke marrë edhe votat e Fidesz-it.

Partia fshatare kroate, kërkon tani të shkëputet nga “partitë antieuropiane, politikanët dhe partitë anticivilizuese brenda EVP”, deklaroi për Deutsche Welle kryetari i partisë, Krešo Beljak. Ai tha se respekton pozicionin e Merkelit dhe të Söderit, por shumë mirëkuptim nuk ka për ta. “Ne nuk kuptojmë pse ju, politikanët me ndikim brenda familjes së EVP, nuk distancoheni edhe më fort nga ksenofobia e një Viktor Orbani dhe njerëzve si ai. Ne nuk e shohim më veten në një familje me ata që preferojnë një Europë të prapambetur, si Orban.”

Beljak kërkon tani që së bashku me HSS të kërkojë partnerë të rinj, që “ushtrojnë një politikë tjetër në BE, për një Europë tolerante, të fortë dhe të hapur”. Është megjithatë e paqartë, nëse funksionon me rifutjen sërish në Parlamentin e BE. HSS ka aktualisht një vend në parlamentin e BE. Vendimi i presidiumit nuk është ende i vlefshëm. Ai duhet pranuar edhe nga kryesia e partisë. Por aprovimi është vetëm një formalitet.

HSS e argumenton daljen nga EVP, me atë se njerëz të afërt me Orbanin kanë blerë media në Kroaci, që “përhapin vetëm urrejtje”. Ata kritikojnë po ashtu që në EVP dëgjohet vetëm zëri i partisë më të mëdha qytetare kroate, konservatorëve të djathtë në pushtet, Partisë së Shoqërisë Demokratike Kroate (HDZ)

Kurs miratues nga udhëheqësit e shtetit kroat

Edhe HDZ ka luajtur një rol të rëndësishëm që HSS të marrë vendim për tu larguar nga EVP. Beljak akuzon HDZ se nuk lufton sa duhet për interesat kroate në BE, duke u pozicionuar kështu si udhëheqës i opozitës dhe kundërshtar direkt i kryeministrit kroat, Andrej Plenković (HDZ).

Si shembull për këtë ai përmend kursin miratues të udhëheqjes shtetërore kroate ndaj presidentit serb, Aleksandar Vučić, të cilin Beljak e quan “ish përkrahës të politikës fashiste dhe serbomadhe” si dhe reaksionet e buta të udhëheqësve kroatë ndaj lajthitjeve të fundit verbale të italianit, Antonio Tajani.

Image

Presidenti i Parlamentit të BE, Tajani tha një manifestim përkujtimor në Basovizza në afërsi të kufirit me Slloveninë për italianët që u vranë nga 1943 deri 1943 nga partizanët jugosllavë: “Rroftë Trieste, rroftë për jetë Istria italiane, rroftë Dalmacia italiane!”

Shprehjet e politikanit italian shkaktuan protesta të ashpra në Slloveni dhe Kroaci. Ndërkohë që udhëheqësit sllovenë e akuzuan Tajanin për “revizionizëm të paparë”, dhe kritikuan ashpër fjalët e zgjedhura prej tij, pala kroate u dëgjua më e përmbajtur dhe u mjaftua me kërkimin falje nga Tajani. Atij i vjen keq nëse dikush ndihet i fyer, tha presidenti i parlamentit të BE. Tajani vjen nga Forza Italia, që është anëtare e partive popullore europiane EVP. Partia e Vucicit, SNS, është anëtare e asociiuar e EVP.

HSS e kryesuar nga shefi i ri Krešo Beljak ka kohë që flirton me mendimin e daljes nga EVP, si vazhdim logjik i zhvillimit programatik. Motoja: liberalizim.Me lajthitjet e Tajanit dhe aksionin e Orbanit, Beljak pati dy mundësi për ta prezantuar planin e tij publikut. Megjithatë vendimi i HSS është një rast precedent për BE, thotë politologu i Zagrebit, Žarko Puhovski: “HSS kroate ka krijuar në këtë mënyrë një lloj standarti për trajtimin e Orbanit dhe partisë së tij. EVP nuk dëshiron të përballet me këtë gjë, edhe nëse nuk e nxjerr jashtë Fideszin”.

Instikt politik

Beljak ka vënë kështu nën provë dhuntitë politike. Aksioni i një partie relativisht të vogël u ndoq me interes të madh në gjithë Europën. A do të ketë ndikim në të gjithë Europën? Kjo nuk dihet, thotë edhe vetë Beljak. “Hapi ynë nuk i shkakton shumë dhimbje EVP, ne i urojmë asaj suksese, por ne vetë nuk duam të kemi të bëjmë me këtë trup lara-lara.”

Partia fshatare kroate është krijuar në vitin 1904 dhe ka qenë forca më e madhe politike në Kroaci në gjysmën e parë të shekullit të 20-të. Aktualisht HSS ka katër deputetë në parlamentin kroat me 151 vende.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme