Disa ditë pasi Projektligji për pandeminë nuk arriti të shqyrtohej në procedurë të përshpejtuar, Kryesia e Kuvendit të mërkurën këtë projektligj e ka proceduar për shqyrtim në Komisionin për Shëndetësi.
Anëtarët e këtij komisioni, të cilët do ta shqyrtojnë atë, thonë se janë pro miratimit të këtij projektligji, porse, sipas tyre, ai ka nevojë për disa ndryshime, shkruan KOHA.
Fitim Uka nga Lëvizja Vetëvendosje thotë se ata do ta shqyrtojnë nismën ligjore të kryeparlamentares. Sipas tij, inatet politike kanë shkaktuar që miratimi i një ligji të tillë të mos bëhej deri më tani.
“Ende e kam të paqartë pse deri tash është zvarritur ardhja e këtij projektligji. Ne jemi për atë që një projektligj të tillë ta procedojmë sa më parë. Jemi të gatshëm ta japim kontributin tonë në kuadër të Komisionit parlamentar dhe të bëjmë të gjitha ndryshimet e duhura që ky ligj të jetë i përshtatshëm”, thotë Uka.
Nismën ligjore të kryetares së Kuvendit, Vjosa Osmani, do ta mbështesë edhe PDK-ja.