Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), ka njoftuar të mërkurën se si pasojë e ankesave për thyerje të heshtjes zgjedhore në Kosovë, për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit, do të gjobisë subjektet politike me mbi 120,000 euro.
Ky institucion ka pranuar 134 ankesa lidhur me këtë lloj shkeljeje nga ana e partive politike, mirëpo ka pranuar si të bazuara 177 prej tyre.
Partia Demokratike e Kosovës është gjobitur me 42,500 euro, Lëvizja Vetëvendosje me 37,500 euro, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, 22,000 euro, NISMA, 2,000 euro dhe Lista Serbe 1,000 euro.
“Natyra e ankesave të paraqitura kanë qenë, heshtja zgjedhore, thyerja e heshtjes zgjedhore gjatë ditës së votimit për të votuar subjektin e caktuar politik, thirrja për të votuar disa kandidatë nëpërmjet portaleve të gazetave, shpërndarja apo postimi i disa fotografive me aktivitet elektoral në rrjete sociale si Facebook, thirrje për të votuar nëpërmjet rrjetit social Facebook, bërja e fushatës me veturë 100 metra afër qendrës së votimit, shpërndarja e SMS-ve për votim te qytetarët, vendosja e banerëve me foto të kandidatëve në afërsi të shkollës, vendosja e posterve të kandidatëve në oborrin e Qendrës së Votimit, mbajtja e fushatës gjatë ditës së votimit”, është thënë në njoftim.
Sipas të dhënave preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje, e udhëhequr nga Albin Kurti, ka fituar zgjedhjet e 14 shkurtit rreth 48 për qind të votave.
Partia Demokratike e Kosovës ka fituar 17.35 për qind të votave, Lidhja Demokratike e Kosovës 13.18 për qind të votave, dhe në vendin e katërt është Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 7.42 për qind